Kurti: Thaçit, ia kanë zënë bishtin me derë

Kosova

Kurti: Thaçit, ia kanë zënë bishtin me derë

Më: 18 prill 2014 Në ora: 14:40

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nderoi të premten dëshmorët e komunës së Prishtinës. Ai tha se dëshmorët janë dëshmi e sakrificës dhe e vetëmohimit, kontributit e luftës, rezistencës e kryengritjes tonë dhe njëkohësisht këta janë edhe dëshmi që Serbia ishte agresore, okupatore, shtypëse, shfrytëzuese dhe prandaj, në Ballkan për të pasur paqe dhe drejtësi do të duhej të kishim një tribunal për Serbinë e kurrsesi për Kosovën.
Ai tha se kryeministri i Kosovës po tregon që ka kapitulluar dhe prandaj tash po vjen tribunali.
“Pra, kapitullimi që e përjetoi në Bruksel gjatë negociatave me Daçiqin e Vuçiqin, po kurorëzohet me një tribunal kundër Kosovës. Tribunali i këtillë, të cilin po e mirëpret kryeministri, ndonëse po e din që është i padrejtë, në fakt është shtruar edhe nga deklaratat e tij se ai ka qenë larg fronteve të luftës. Me fjalë të tjera, ai tha se shokët e mi që kanë qenë në front të luftës merrni lirisht, ndërkaq unë isha shumë larg atyre. Dhe, e fundit është që një tribunal i këtillë për Kosovën, apo gjykatë e veçantë siç po quhet, në fakt është ekstradim edhe i pavarësisë, edhe i luftës çlirimtare, është dorëzim jashtë vendit tonë i këtyre gjërave që janë aq themeltare e aq thelbësore, sa që na bëjnë ata që jemi”, tha Kurti.
Sipas tij, kryeministri i Kosovës po pajtohet me qëndrimet e Vetëvendosje ai e ka bishtin e zënë me derë.
“Ai po thotë se tribunal është i padrejtë, mirëpo duhet të votohet pikërisht sepse është i shantazhuar. Ky është konfirmim i shantazhit ndaj Kryeministrit”, u shpreh Kurti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat