Tali: As Thaçi nuk i beson premtimeve të veta

Kosova

Tali: As Thaçi nuk i beson premtimeve të veta

Nga: Mimozë Lakna Më: 18 prill 2014 Në ora: 14:16

Njohësi i rrethanave ekonomike në Kosovë, Driton Tali vlerëson se as vet kryeministri Thaçi nuk iu beson premtimeve të tij.
Ashtu siç e ka bërë të zakonshme, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi po vazhdon ta shfrytëzoj profilin e tij në Facebook që të jap premtime nga më të ndryshmet.
Kësaj radhe i mbështetur në vizitën e tij në Japoni, ai ka shkruar se po negociohen kredi që do ta rrisin fondin e punësimit.
“Lajm i mirë! Vizita në Japoni po sjell rezultatet e para konkrete. Jemi duke negociuar kredi të buta prej minimum 50 milionë dollarë për zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës. Këto mjete do të jenë komplementare me Fondin e Punësimit që do ta krijojmë”,ka shkruar kryeministri Thaçi.
Mirëpo, Driton Tali njohës i rrethanave ekonomike, thotë se premtimet e kryeministrit Thaçi janë vetëm fjalë të cilave as ai vet nuk iu beson.
Me këtë rast Tali përmend shumë premtime që i ka bërë Thaçi në të kaluarën e të cilat nuk i ka realizuar.
“Premtimet e z Thaçi janë llafe të kota të cilave jo që unë nuk ju besoj se janë të realizueshme, por jam i bindur se as z Thaçi nuk ju beson premtimeve të veta. Se çka nuk na premtoi deri tani z Thaçi ?! Dhe nuk i realizoi! Ti marrim disa premtime të cilat janë lehte të realizueshme e nuk i realizoi (pra jo këto premtimet e trenta s`fundmi për investime milardeshe?!). Ai më 2007-tën gjatë tërë fushatës na premtoi se “në kabinetin e tij Qeveritar nuk do të ketë njerëz të dyshuar për korrupsion. Para si t’i emëroj ata se pari do t’a konsultoj edhe policinë dhe gjyqësorin”, dhe shkoi e i emëroj njerëz më të dyshuar për korrupsion; me 2008, na premtoi se Qeveria e tij do t’i ule shpenzimet e qirave (duke kaluar nga objektet private në ato publike), jo që nuk u zvogëluan por ato u shumëfishuan; na premtoi se do t’i ndali përdorimet e makinave publike për përdorim privat, jo që u ndalen apo u zvogëluan keqpërdorimi i tyre, por keqpërdorimi u shumëfishua etj. Për mos t’i përmendur disa premtime që politikani serioz nuk guxon t’i flas në publik duke i pasur parasysh rrethanat si bie fjala premtimi i tij në fushatën e 2007-tës se Kosovën do ta shndërroj ne “Lugine Silikoni” apo premtimi i tij ne 2010 se për 18 muaj të qeverisjes Kosova do të fitonte liberalizimin e vizave etj. Prandaj them me plote gojë se këto premtime që i jep z Thaçi kohëve të fundit nuk ju besoj as ai se lere më t’ju besojmë ne”,vlerëson ai.
Ndryshe, ka shumë kohë që kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi me anë të premtimeve dhe vendimeve për rritje pagash po synon të fitoj edhe mandatin e tretë qeveritar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat