Po shënohet 15 vjetori i dëshmorëve të Prishtinës

Kosova

Po shënohet 15 vjetori i dëshmorëve të Prishtinës

Më: 18 prill 2014 Në ora: 11:59

(E Plotësuar) ​Me rastin e 15 vjetorit të dëshmorëve të Prishtinës, shoqatat e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, po organizojnë “Ditët e Krenarisë”, në shenjë nderimi.

Me këtë rast kryeministri Hashim Thaçi, subjektet politike dhe personalitete të ndryshme kanë bërë homazhe në varrezat e Dëshmorëve, në lagjen Velania si dhe tek shtatorja e dëshmorit Zahir Pajaziti.

Kryeministri Thaçi tha se sot po nderojnë dhe vlerësojnë sakrificën e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së, por edhe të gjithë qytetarëve të Prishtinës për liri dhe pavarësi.

“Lavdi gjithë dëshmorëve të lirisë. Neve na mbetet që vazhdojmë të punojmë në përkushtimin tonë, misionin tonë të ri për Kosovën e re, për Kosovën Evropiane, për Kosovën zhvillimore, për Kosovën çfarë e kanë dashur gjithë dëshmorët e lirisë, bashkëluftëtarët tonë “, ka thënë ai.

Kurse, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka deklaruar se sot përkujtojnë të gjitha ata që ranë që ne sot të jemi të lirë.

“Më duhet të them që sot gjatë vizitës këtu, pe shihni edhe vetë, është një projekt i cili ka mbetur në gjysmë dhe të cilin ne si Komunë zotohemi se do ta përfundojmë në afat sa më të shkurt që është e mundshme duke i respektuar të gjitha dispozitat ligjore, në mënyrë që ky memorial të bëhet ashtu siç edhe e meriton dhe siç i ka hije, të ketë, domethënë, një pozitë të tillë në qytetin tonë, komunën tonë “, ka thënë ai.

Megjithatë, për të përfunduar ky projekt, Ahmeti pranon se një pjesë e mjeteve nuk është në buxhet, megjithatë tha se ka mundësi edhe gjatë rishikimit por edhe në buxhetin e ardhshëm të gjitha këto mjete të gjinden.

Ndërkohë që në orën 18:00 do të mbahet Akademia përkujtimore për dëshmorët në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. Homazhe do të bëhen edhe tek varrezat e dëshmorëve të fshatrave të komunës së Prishtinës. Për nder të të rënëve do të zhvillohen aktivitete deri më datën 24 prill.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat