Rexhep Selimi: S’po mund t’i bije në fije kryeministrit Thaçi

Kosova

Rexhep Selimi: S’po mund t’i bije në fije kryeministrit Thaçi

Më: 17 prill 2014 Në ora: 20:07

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh njëri ndër themeluesit e parë të UÇK-së, Rexhep Selimi i është kundërpërgjigjur thirrjes së kryeministrit të Kosovës drejtuar deputetëve për votimin e krijimit të Tribunalit edhe pse këtë të fundit e ka quajtur fyerje dhe të padrejtë.
Selimi për ORAinfo ka thënë se nuk po arrin të kuptoj kryeministrin Thaçi me mos konsistencën që ka pasur në vazhdimësi rreth drejtësisë ndërkombëtare.

“Them të drejtën s’po mund t’i bije në fije deklaratave të kryeministrit dhe njëkohësisht dhe ti përcjell për shkak se kryeministri përball drejtësisë nuk ka pas konsistencë në atë se çfarë ka deklaruar. Sidomos ndaj drejtësisë dhe shpeshherë padrejtësisë ndërkombëtare në mënyra të ndryshme, varësisht nga situata. Kemi raste kur ka pasur gjykime të UNMIK-ut kundrejt ish-pjesëtarëve të ish-UÇK-së, saktësisht me sa mua më kujtohet ka qenë gjyqi kundër Grupit të Llapit që kishte deklaruar se kjo ishte çështje e drejtësisë dhe ka pasur raste dhe deklarime tjera siç ka qenë në momente të caktuara kur ka shpreh kundërshtime. Pra nuk ka një konsistencë. Sa i përket deklarimit të fundit, po mendojë edhe njëherë se kryeministri po bën sjellje të tilla që janë të pakuptueshme por mbi të gjitha janë të papërgjegjshme. Ato mund të jenë të pakuptueshme dhe mund të ishin të pakuptueshme, por me postin që mban ai nuk do të duhej të ishin kaq të papërgjegjshme çfarë janë të kryeministrit herë thirrje për votim e herë për kundërshtim”, është shprehur Selimi.
Ai ka ripërsëritur qëndrimin e Vetëvendosjes se do të votojnë kundër themelimit të Tribunalit.
“Ne nuk mund t’i përgjigjemi as pozitivisht dhe as negativisht një thirrje të cilën nuk e kuptojmë. Ne qëndrimin tonë e kemi shumë të prerë, ne do të votojmë kundër Tribunalit të supozuar për krimet e UÇK-së, për shkak se shqiptarët nuk kanë qenë dhe nuk janë burim i krimit. Shqiptarët as nuk mund të paragjykohen për ngjarje të tilla dhe aq më tepër të formohet një Tribunal për krime të supozuara”, është shprehur Selimi.
Ai ka shprehur bindjen se themelimi Tribunalit nuk do të merr votat e mjaftueshme nga deputetët e Kuvendit edhe pse të gjithë liderët politikë në përjashtim të atij të VV-së kanë shpreh votën e tyre pro Tribunalit
“Liderët politikë shumica janë shpreh pro, por jo të gjithë deputetët do ti dëgjojnë liderët e vetë. Them të drejtën unë nuk besoj që do të kaloi në Kuvend Tribunali për shkak të qëndrimeve veç e veç të deputetëve me aq sa kam parë sot në seancë. Më shumë gjasa ka të mos votohet”, ka thënë Selimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat