LDK-ja, a po i afrohet AKR-së?

Kosova

LDK-ja, a po i afrohet AKR-së?

Më: 17 prill 2014 Në ora: 19:55

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila ka pritur kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, me degës e së cilës parti janë në koalicion qeverisës lokal.
Në takim është folur për ecurinë e përgjithshme në Komunën e Gjakovës, me ç’rast kryetarja Mimoza Kusari Lila pasi ka vlerësuar lartë bashkëqeverisjen lokale me LDK-në, si një prej subjekteve, ka folur rreth aktiviteteve dhe aktualiteteve në Komunë, domosdoshmërinë dhe fokusimin në zhvillimin ekonomik lokal, bashkëpunimin në nivel ekonomik si dhe potencuar procesin e zgjidhjes së çështjes së pronës nga Kuvendi i Kosovës, si mundësi dhënie në shfrytëzim për zhvillim ekonomik lokal.
Isa Mustafa, kryetar i LDK-së ka dëshiruar që udhëheqja komunale e Gjakovës të jetë e suksesshme, pasi në çdo Komunë ka probleme të ndryshme, e këto janë të theksuara sidomos edhe në Komunën e Gjakovës.
Nga kreu i LDK-së është thënë më pas se shprehet vullnet që të punohet bashkërisht. A mund të quhet kjo afërsi e LDK-së dhe AKR-së, pasi që Mimoza Kusari-Lila është zv/presidente e AKR-së? Një ‘fluskë’ të afërsisë së këtyre dy partive e ka lëshuar sot edhe këshilltari i kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli.
Jetlir Zyberaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook e ka dhënë vlerësim për kreun e LDK-së për, siç ka thënë ai, qëndrimin konstruktiv ndaj idesë së Pacolli për zhvillimin e Trepçës si alternativa më e mirë e ringritjes së këtij gjiganti, pa e privatizuar dhe pa e dhënë me koncesion.
“Përtej bindjeve politike, Kosova ka nevojë për unifikim ndaj ideve për zhvillim ekonomik”, ka shkruar Zyberaj në Facebook.
Kryetari i LDK-së e ka vizituar sot kombinatin metalurgjik Trepça në Stan Tërg.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat