Edhe Surroi në Vetëvendosje?

Kosova

Edhe Surroi në Vetëvendosje?

Më: 17 prill 2014 Në ora: 19:50

Kohët e fundit kanë ndodhur dy takime ndërmjet Albin Kurtit dhe Veton Surroit. Takimet kanë ndodhur pas kohës së protestave që e bënë të mundshme edhe rrëzimin e rektorit të Universitetit të Kosovës, ku rol kyç e dominues kishte VV dhe Grupi “Koha”.
Merret vesh se bisedimet kanë qenë të përzemërta dhe kanë kaluar pa mosmarrëveshje ndërmjet Kurtit e Surroit.
Mirëpo, siç ndodhë ende në VV, për një takim të tillë, janë njoftuar krerët kryesorë të këtij subjekti politik.
Kurti i ka njoftuar udhëheqësit tjerë se Veton Surroi do të duhej të ishte i dyti në listën e VV-sw. Por, nuk ka raportuar te “shokët” se është biseduar edhe për pozitën e Kryeministrit.
Natyrisht, sipas burimeve të Publiku.net, brenda krerëve të VV ka reaguar ashpër Glauk Konjufca, i cili ka kërcënuar me largim prej VV nëse kjo do të ndodhte.
Ai u ka kujtuar të pranishme se askush që ka negociuar me Serbinë nuk mund të jetë në kreun drejtues e vendimmarrës të VV, edhe sipas statutit të kësaj partie.
Ditë më parë, është bërë e njohur edhe nëpër media, ka filluar tashmë aderimi në VV i disa përfaqësuesve të shoqërisë civile, të cilët kanë qenë kryesisht ‘kallëzues’ të mbështetur nga faktori i jashtëm.
Këto ditë ka aderuar edhe njëri prej ‘organizatorëve’ për rrëzimin e rektorit Gashi, Avni Zogjani.
Në bisedime për të qenë pjesë e VV është edhe organizatori tjetër i protestave për rrëzimin e rektorit Gashi, Ilir Deda.
Ndonëse është publikuar në media se Deda tashmë është në VV, ky informacion, sipas burimeve që ka Publiku.net, nuk është ende i saktë ose i konfirmuar përfundimisht. Edhe në këtë drejtim ka telashe brenda VV.
Deda, së bashku me ‘pinjollin’ e Veton Surroit, Ylli Hoxha, tash këshilltar komunal në Prishtinë i VV, ishin në paraburgim për shkak të ‘sjelljeve të dhunshme’ në protestat e rrëzimit të rektorit Gashi për 24 orë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat