Qeveria dhe Presidentja flasin ndryshe për letrën e dërguar BE-së

Kosova

Qeveria dhe Presidentja flasin ndryshe për letrën e dërguar BE-së

Më: 17 prill 2014 Në ora: 12:05

Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë përgjigje se çfarë mandati është kërkuar nga Presidentja për tre anëtarët ndërkombëtar të saj që u skadon mandati këtë vit. Këtë përgjigje nuk e ka dhënë as Zyra e Presidentes. Ndërsa Qeveria sipas zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi “nuk e di çfarë ka shkruar presidentja” në letrën e saj në lidhje me këtë, pasi drafti i dorëzuar nga përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar me 7 prill nuk i ishte i qeverisë. Krejt këtë kryeparlamentari Jakup Krasniqi e quan kundërkushtetues.

Para se Kuvendi të votoj për materien e letrës që Presidentja i ka dërguar Bashkimit Evropian, kreu i Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi, po e cilëson këtë si kundër kushtetuese. Megjithatë kreu i Kuvendit, ka thënë se gjithçka që shkruhet në këtë letër do të votohet nga legjislativi. “ Për të gjithë atë materie do të votohet edhe pse në Kushtetutë thuhet ndryshe”, i ka thënë Krasniqi Radio Kosovës.

Për këtë letër zëdhënësi i Presidentes Arbër Vllahiu, i ka thënë Radio Kosovës se ky është “një dokument i diskutuar dhe pajtuar nga Qeveria e Kosovës”.

Vllahiu nuk ka konfirmuar se sa vite mandat është kërkuar të kenë gjykatësit ndërkombëtarë të Kushtetueses si dhe anëtarët ndërkombëtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe asaj të Pronës.

Por, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka pohuar se nuk e di çfarë ka nënshkruar saktësisht Presidentja, pasi sipas tij, drafti i dërguar nga përfaqësuesi i Bashkimit Evropian Samuel Zhbogar nuk ka qenë i qeverisë.
“ Me 7 prill përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë Samuel Zhbogar u ka dërguar një draft liderëve edhe krerëve të partive politike. Ky draft i Zhbogarit nuk ka qenë i yni”, i ka thënë Kuçi, Radio Kosovës.

Letra që Presidentja i ka dërguar Përfaqësues së Lartë të Bashkimit Evropian Catherine Ashton, përveç Tribunalit, dhe vazhdimin e njëjtë të mandatit të EULEX-it ka kërkuar edhe zgjatje mandati për tre gjyqtarët ndërkombëtarë të Kushtetueses, të cilëve u skadon mandati me 31 gusht të këtij viti. Njëjtë pritet t’u zgjatet mandati edhe anëtarëve ndërkombëtarë të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe Agjencisë Kosovare të Pronës.

Gjykata Kushtetuese nuk ka sqaruar se çfarë mandati është kërkuar për tre gjykatësit ndërkombëtarë të saj.
Po, ashtu nuk është qartësuar ende as çështja e mandatit të anëtarëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe as Agjencisë Kosovare të Pronës.

Mungesa e anëtarit amerikan në Agjencinë Kosovare të Privatizimit ka bllokuar pothuajse të gjitha vendimet e kësaj agjencie. Propozimi për emërimin e tij ishte dashur të bëhej nga Ambasada Amerikane, por, për këtë Elie Teichman zyrtar për media në këtë Ambasadë nuk ka dhënë ndonjë përgjigje rreth përzgjedhjes së tij.
” Aktualisht nuk kam asgjë për të thënë rreth pyetjeve tuaja”, ka qenë përgjigja e zyrtarit nga Ambasada Amerikane.

Sidoqoftë mbetet për t’u qartësuar edhe për sa kohë do të vazhdoj mandati që me kushtetutë u skadon në qershor anëtarëve të Agjencisë së Privatizimit dhe asaj të Pronës, ndërsa në gusht gjykatësve të Kushtetueses.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat