Rugova: Sondazh spekulues, LDK është e para

Kosova

Rugova: Sondazh spekulues, LDK është e para

Nga: Mimozë Lakna Më: 17 prill 2014 Në ora: 10:55

Derisa zgjedhjet po afrohen,kanë filluar të publikohen edhe sondazhe të ndryshme sa i përket radhitjes së partive politike.
Kështu një sondazh i fundit,i publikuar në medie për muajin mars ka nxjerrë PDK-në me 28.3, LDK-në me 24.1, VV-në me 13.7 , AAK-në me 12.8 dhe AKR-në me 5.1%. Për Nismën, janë deklaruar se do të votojnë 2.1 për qind e respondentëve derisa për Partinë e Drejtësisë 1.2.
Mirëpo, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Haki Rugova e hedh poshtë këtë sondazh duke thënë se në sondazhe mund të bëhen edhe spekulime.
“Unë nuk e di kush e ka bërë këtë sondazh. Në sondazhe është normale që të spekulohet ngapak. Unë nuk e di prej nga ka ardhur ky sondazh,sepse ne i kemi sondazhet tona dhe i bëjmë matjet tona të cilat e flasin të kundërtën”, thotë Rugova për “Bota sot”.
Sipas Rugovës, LDK-ja është e bindur se do t`i fitoj zgjedhjet nacionale.
“Ne jemi të bindur në fitoren e LDK-së dhe mund të themi se ne do ta udhëheqim Qeverinë e Kosovës me Isa Mustafën Kryeministër”, përfundon ai.
Ndërkaq, këtë sondazh e ka komentuar edhe analisti politik Jeton Kelmendi duke thënë se ky sondazh është mashtrim për publikun pasi nuk dihet se kush është autor i këtij sondazhi.
“Të çuditesh kur lexon mashtrime të paskrupullta të grupeve të caktuara, të cilat shpërfillin të vërteten. Një pamflete me fonde partiake e quajtur Gazeta Tribuna del me rezultatet e një sondazhi të pabërë. Fillimisht kjo loje shkel etiken gazetareske, pastaj edhe tenton ta manipuloj opinionin. E vërteta qëndron krejt ndryshe”, ka shkruar ai.
Sipas Kelmdenti, është një organizatë e cila për dallim nga sondazhi tjetër, ka emër dhe ka publikuar rezultate krejt të tjera, ku LDK-ja është nxjerrë si partia e parë.
“ Një organizatë me emër IRC ka bere një sondazh dhe rezultatet janë krejt ndryshe. LDK ka 24.9 PDK 22.1, VV 18, Nisma 12, AAK 7.5, AKR 3.5 ndërsa përqindja tjetër është e partive të vogla dhe të papërcaktuara. Ta tregoj cila organizate ka bërë sondazhin Gazeta Tribuna ose të kërkojnë falje publikut për këtë mashtrim të paskrupullt”, ka përfunduar Kelmendi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat