​Deputetët: Presidente dekretove gjyqtarin që ia mohoi jetën Dianës

Kosova

​Deputetët: Presidente dekretove gjyqtarin që ia mohoi jetën Dianës

Më: 17 prill 2014 Në ora: 08:14

Edhe sot deputetët serbë nuk kanë ardhur në Kuvend duke bllokuar kështu votimin e Projektligjit për arsimin e lartë i cili kërkon edhe 2 të tretat e votave nga minoritetet. Ndryshe Kuvendi ka proceduar me seancë të re.

Ndonëse ishte parapa që sot të procedohej me vazhdimin e seancës nga java e kaluar ku në rend dite kishte mbetur votimi i Projektligjit për arsimin e lartë, mungesa e deputetëve serb në Kuvend, bëri që kjo seancë të vazhdohet më vonë. Mungesa e deputetëve serbë ka pamundësuar edhe javën e kaluar edhe sot votimin e këtij projektligji, pasi për të duhen edhe 2/3-tat e deputetëve nga minoritete. Ndërkohë Kuvendi vazhdoi me seancë të re ku deputetët kanë ngritur çështjen e riemërimit të gjyqtarit në Gjykatën Komunale të Prishtinës, Enver Shabani, i cili nuk kishte iniciuar urdhrin mbrojtës ndaj të ndjerës Diana Kastrati. Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje kërkoi nga presidentja që ta shqyrtojë dekretin dhe ta shkarkojë gjyqtarin Shabani.
“Kërkoj nga presidentja që ta rishqyrtojë dekretin dhe të marrë vendim në përputhje me nenin 104 paragrafi 1 i Kushtetutës mbi bazën e drejtësisë duke e shkarkuar gjyqtarin Enver Shabani sipas propozimit të KGJK-së. Kështu, të paktën duke u munduar që këtij turpi t`ia zvogëlojnë efektin e shkaktuar”, tha ajo.
Ndërsa deputetja Blerta Deliu-Kodra, tha se edhe nëse dekreti ka bazë ligjore, mesazhi që dërgon ai riemërim është jo civilizues për një shtet demokratik që po synon BE-në dhe si i tillë humb besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë.
“Besueshmëria në gjyqësor rritet vetëm kur ku institucion forcon mekanizmat ligjor për t`i ofruar mbrojtje për secilin qytetarë, duke mos e zbehur imazhin dhe besueshmërinë e qytetarëve të Kosovës në sistemin e drejtësisë”, tha ajo.
Në seancën e sotme është ngritur edhe çështja e sigurisë në rrugë. Haki Demolli nga LDK-ja tha se pasiguria dhe rreziku i pjesëmarrësve në komunikacion ditëve të fundit është shumë i lartë. Dhe në këtë rast, siç tha ai, gjykatat po tregohet e butë ndaj fajtorëve.
“Kërkoi nga organet e drejtësisë ë tani e tutje ndaj shkelësve të tillë të ligjit, të shqiptojnë dënimet më të rënda ligjore ashtu që dënimet e shqiptuara të kenë jo vetëm karakterin represiv ndaj fajtorëve por të kenë edhe karakter preventiv të veprimeve të kundërligjshme ndaj sigurisë së trafikut rrugor në Kosovës”, tha Demolli.
Ndryshe, deputetët kanë votuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë eksportuese e lidhur ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG për financimin e Projektit "Modernizimi i Sistemit të Edukimit në Kosovë përmes e-Edukimit.

Vazhdon seanca e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës sot vazhdon seancën plenare, ku do të diskutojë për votimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë eskportuese ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG për financimin e Projektit ”Modernizimi i Sistemit të Edukimit në Kosovë përmes e-Edukimit, votimin e Projektligjit për arsimin e lartë në Republikën e Kosovës si dhe shqyrtimin e Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Seanca vazhdon me deklarime jashtë rendit të ditës, koha për pyetje parlamentare, miratimin e procesverbalit të mbledhjes së mëparshme, shqyrtimin e parë të Projektligjit për Komisionarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për Forcën e Sigurisë dhe Policinë e Kosovës.

Pikë e rendit të ditës do të jetë edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për regjistrimin e bujqësisë, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, si dhe emërimi i anëtarit të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat