Ja kush do të pyetet nga Tribunali?

Kosova

Ja kush do të pyetet nga Tribunali?

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 16 prill 2014 Në ora: 13:32

Me krijimin e Tribunalit ndërkombëtar që do të formohet në Kosovë, sipas burimeve të Gazetës “Bota sot”, kanë me u merr në pyetje të gjithë shefat e ZKZ-G2, dhe të gjithë komandantët e policisë ushtarake, sidomos në vendet apo rajonet ku janë paraqitur personat e zhdukur, sidomos të nacionalitetit serb, si dhe, komandantet e Brigadave.
Komandanti i njësisë “COBRA”, Naser Vllasi, thotë për Gazetën “Bota sot”, se lufta në Kosovë u zhvillua si pasojë e persekutimeve mizore serbe ndaj shqiptarëve dhe se kjo e bëri të pashmangshme luftën e shqiptarëve për liri me qëllim të mbrojtjes së tokës së tyre.
“Ndërhyrja e forcave të NATO-s në Kosovë dhe misioni civil i UNMIK-ut përveç ndihmës që na dhanë bënë edhe shumë gabime, në sferat që konsideroheshin të jenë të rëndësisë vitale për vendin tonë që kishte dalë i shkatërruar gati tërësisht nga lufta. Këtë e bënë duke i përkrahur dhe duke i vënë në pushtet njerëzit, që pastaj del se pikërisht të njëjtit do jenë ata që do i gjykojë Tribunali që pritet të formohet shumë vjet pas luftës”, thotë komandant “Cobra”.
Sipas tij, kjo u bë ndoshta me qëllim të caktuar, ngase këta persona për të arritur te pushteti nuk u ka penguar të jene marioneta e kujtdo qoftë, ngase disa e kanë në gjak famën dhe dëshirojnë ta arrijnë me çdo kusht dhe pikërisht këta janë ata persona te të cilët qëllimi e arsyeton mjetin çfarëdo qofte ai.
“Kurrsesi nuk jam kundër krijimit të Tribunalit për krime lufte, ngase vetëm ashtu do te qartësohej se kush ka luftuar me nder e kush ka bërë devijime nga të cilat populli jonë vuan sot e asaj dite,por do të doja që ky Tribunal të formohej në rrethana tjera. Kur them kështu e mendoj faktin që Tribunali për krime luftë në Kosovë nuk do duhej të formohej vetëm për shqiptarët, por për të gjitha palët pjesëmarrëse të luftës,duke përfshirë ndërhyrjen e NATO-s nëse ka bërë ndonjë gabim,pasta trupat e KFORIT etj. arsyeja pse nuk pajtohem me formimin e Tribunalit të tillë është se me sa di unë dhe gjithë shqiptarët Tribunali i Hagës është marrë me këto krime dhe nuk është e arsyeshme që një gjë e tillë të përsëritet”, thekson ai.
Vllasi mendon se problemi qëndron diku tjetër, sikur të huajt dëshirojnë me çdo kusht të kënaqin pasionet e Beogradit, por edhe burrështetasit tanë kur u kërkohet bëhen të verbër e të shurdhër. Sipas tij, mjafton një raport i kamufluar i Dik Martit që më shumë është pjellë e kishës pravosllave serbe dhe Akademisë së shkencës së Beogradit dhe udhëheqësve tanë u hyn frika në palcë. Krejt këto pasoja siç duket po rrjedhin edhe nga gabimet qe janë bërë me marrëveshjen e Rambujes dhe të Kumanovës. Ka kaluar sa e sa kohë pas luftës dhe shume familje shqiptare nuk dinë as për fatin e më të dashurve të tyre e normalisht se për të gjitha këto dikush duhet të jap përgjegjësi.
“Shyqyr Zotit që nuk po krijohet Tribunali në Serbi se për udhëheqësit që kemi edhe kjo shumë lehtë mund të ndodh, jam i sigurt se diçka e mirë do dalë nga gjithë kjo, ngase do demaskohen fytyrat e atyre që i bënë zullum popullit të vet, por njëkohësisht do demaskohet edhe fytyra e shtetit amë shqiptar. Si përfundim i kësaj mendoj se formimi i Tribunalit nuk është ide e keqe, por gjithmonë duke qëndruar pas asaj se do duhet të zhvillohej për të gjithë ata që kanë bërë krime e jo vetëm për shqiptarët. Nëse e drejta ndërkombëtare parasheh një gjë të tillë s’ka askush që e thyen vendimin e tyre”, pohon komandat “Cobra”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat