Jashari kërkon dëmshpërblim për gjashtë plumbat që i mori në trazirat e marsit

Kosova

Jashari kërkon dëmshpërblim për gjashtë plumbat që i mori në trazirat e marsit

Më: 13 prill 2014 Në ora: 21:11

Për një dekadë të tërë, Abid Jashari (28) mban në trup gjashtë plumba, që nga trazirat e marsit të vitit 2004, raporton KTV.
Njërin e ka shumë afër trurit dhe ka frikë të hyjë në operim, pasi i është thënë se gjasat për të shpëtuar janë vetëm tre për qind. Jashari, të cilit i është thënë se këta plumba janë të UNMIK-ut, kërkon që ky institucion t’i japë dëmshpërblim për atë që i ka ndodhur. E, UNMIK-u nuk e ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë.

Pasditen e 18 marsit të vitit 2004, pikërisht në kohën e trazirave, ai ishte nisur për në lagjen Mati, ku luante zakonisht futboll, por i gjendur rastësisht në rrugë gjatë protestës, aty mori lëndimet e përjetshme.

Jashari gjatë gjithë kohës kishte menduar se trupat e KFOR-it ishin ata që e kishin plagosur, por pas analizave të bëra nga KFOR-i, i është thënë se plumbat 9 mm të pushkës së gjuetisë janë të policisë së UNMIK-ut.

“Pas një hetimi të kujdesshëm, të bërë nga Zyra për Ankesa e SHP të KFOR-it, kemi ardhur në përfundim se KFOR-i nuk është përgjegjës për plagosjen dhe lëndimet tuaja. KFOR-i nuk ka përdorur llojin e plumbave çfarë ju ende keni në trup, e as që ka operuar fare në rajonin në të cilin ju jeni plagosur atë ditë. Zyra për ankesa e KFOR-it nuk mund të mbështesë kërkesën tuaj”, i ishte thënë Jasharit.

Ai ka kërkuar ndihmë edhe nga EULEX-i, por nga ky institucion i është thënë se flitet për ankesa, për të cilat duhet të bëhen hetime penale, e që rastet e natyrës penale nuk janë kompetencë e EULEX-it.

Abid Jashari, menjëherë pas plagëve të marra, kishte kërkuar shërim, por i ishte thënë se po të bëhej operacion rreziku për të mos mbijetuar është 97 për qind. Problemi kryesor qëndron te plumbi të cilin e mban në kokë e që është vetëm një milimetër larg trurit.

Jashari kërkon që autoritetet, të cilat kishin qenë përgjegjëse për sigurinë atë kohë, t’ia kompensojnë dëmet shëndetësore që i kanë shkaktuar, por deri tash askush nuk i ka ofruar ndihmë.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Brenden Varma, thotë se Abid Jashari ka bërë një ankesë në UNMIK në tetor të vitit 2013 dhe këtë ankesë e sheh si paragjykim, pasi sipas tij kërkesa nuk përkon me kohën, ngase tashmë kanë kaluar nëntë vjet prej kur ka ndodhur ngjarja.

“Ne jemi në dijeni për këtë çështje dhe që prej vitit 2004 për herë të parë ky person ka kontaktuar me ne në tetor të vitit 2013. Ne menjëherë i jemi përgjigjur. Por, ai prapë ka bërë një ankesë dhe shumë shpejt do t’i kthehet përgjigjja. Ne nuk mund të japim detaje rreth përgjigjes së kthyer, por është e drejtë e tij nëse dëshiron ta bëjë publike atë”, thotë Varma.

Nga ana tjetër, Abid Jashari ka sqaruar për KTV-në se kërkesa e tij e vetme ka qenë të marrë një dëmshpërblim për dëmin që iu ka shkaktuar dhe në letrën e parë të kthyer nga UNMIK-ut i është thënë se ankesën e ka bërë shumë vonë dhe për këtë arsye nuk do të ketë dëmshpërblim.

Abid Jashari nuk e ka në plan të ndalet. Thotë se do të kërkojë me ngulm realizimin e kërkesës së tij për dëmin e shkaktuar, që i solli shumë pasoja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat