Ramadani: Hashim Thaçi nuk qenka kandidat në këto zgjedhje

Kosova

Ramadani: Hashim Thaçi nuk qenka kandidat në këto zgjedhje

Më: 12 prill 2014 Në ora: 14:24

Sekretari i AAK-së dhe deputeti i kësaj partie, Burim Ramadani thotë se kryeministri Hashim Thaçi nuk qenka kandidat në këto zgjedhje, pasi që sipas tij, ai ka thënë sot në një intervistë se asnjë nën hetime nuk do të jetë në listë për zgjedhje.

“Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, paska thënë se kjo parti nuk do të ketë asnjë kandidat në listën për deputetë që është nën hetime për korrupsion apo krim të organizuar. Në të vërtetë, ky është lajm i mirë. Kështu do të duhej të jetë logjika”, ka shkruar Ramadani në Facebook.

Sipas tij, e tëra që është bërë gjatë këtyre vjetëve dëshmon të kundërtën për PDK-në dhe Qeverinë e Thaçit.
“Sipas kësaj që tash po thotë Thaçi, lista e kandidatëve të PDK-së për zgjedhjet parlamentare do të jetë komplet e re, përkatësisht me 3-4 persona të vjetër. Pothuajse e tërë Qeveria është nën hetime për korrupsion, shpërdorim të detyrës zyrtare apo krim të organizuar. Kjo i bie që asnjëri prej Qeverisë nuk do të jetë kandidat për zgjedhje”, ka shkruar tutje Ramadani.

Ai thotë se vetë kryeministri është më i përfoluri për korrupsion dhe krim të organizuar, prandaj as Hashim Thaçi nuk qenka kandidat për këto zgjedhje.

“Shumë kryetarë apo ish-kryetarë të komunave nga PDK-ja janë nën hetime, prandaj as ata nuk qenkan kandidatë për deputetë. Kështu po i bie që PDK-ja po garon pa Thaçin, pa Ministrat aktualë, pa shumicën e deputetëve aktualë, pa ish-kryetarët e komunave. Kësaj i thonë "ta mbash fjalën e dhënë publike".

Nëse kjo nuk ndodh, atëherë qytetarët e shohin edhe njëherë se ky Kryeministër meriton ndëshkimin me votë, meriton opozitën e gjatë dhe të përhershme”, ka përfunduar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat