Beteja që shënoi historinë

Kosova

Beteja që shënoi historinë

Nga: Mimozë Lakna Më: 11 prill 2014 Në ora: 11:06

Sot bëhen 15 vite prej rënies heroike të heroit Agim Ramadani dhe dëshmorëve të tjerë në luftën e Koshares. Ndonëse përfaqësuesit e institucioneve nuk kanë paralajmëruar ndonjë aktivitet,janë luftëtarët e Koshares të cilët po e shënojnë këtë ditë duke vizituar familjet e dëshmorëve.
E kush më mirë se një person i cili ka luftuar krah për krah me Agim Ramadanin, Sali Çekajn e dëshmorët e tjerë, do ta përkujtonte rënien heroike të tyre.
Hisen Berisha, komandant në luftën e Koshares, së bashku me ushtarakët e tjerë që morën pjesë në këtë luftë, këtë ditë po e shënojnë me aktivitete të ndryshme.
“Jemi në zhvillim e sipër me aktivitetet që e shënojnë ditën e rënies së heroit Agim Ramadani por edhe ditën e gjithë dëshmorëve të luftës së Koshares. Kemi filluar me homazhet në kazermën ushtarake, pastaj do të vazhdojmë me homazhet tek lapidari i tij në Gjilan dhe në vendlindjen e tij në Zhegër. Nga aty, pastaj do t`i vizitojmë familjet dhe heronjve dhe dëshmorëve që sot e kanë ditën e rënies në luftën e Koshares. Kuptohet ne jemi një ekip në përbërje të shumë ushtarakëve dhe bashkëluftëtarëve të asaj periudhe po udhëtojmë bashkërisht që ta shënojmë simbolikën e kësaj dite, që për neve përmbledh edhe emocione edhe dhembje por edhe krenari që ishim pjesë e betejës historike të luftës së koshares dhe ishim bahkëluftëtarë të kolosëve dhe burrave të mëdhenj siç ishin Agim Ramadani dhe të gjithë dëshmorët që u flijuan për liri në luftën e Koshares”, thotë Berisha për “Bota sot”.
Berisha thotë se vetëm historia do tua jap vendin meritor këtyre luftëtarëve të lirisë që sakrifikuan për çlirimin e vendit.
“Në përgjithësi veprat dhe sakrificat që kanë bërë luftëtarët e Koshares, duke rënë si dëshmorë dhe nëse këtë e përmbledhim me emrin, veprën dhe simbolikën që e ka lënë pranë vetes Agim Ramadani, është një akt shumë i lartë dhe sublim, të cilin vetëm historia mund ta vlerësoj dhe t`ia jap vendin meritorë”, shprehet ai.
Sipas tij, të gjithë po binden çdo ditë e më shumë se historia do ta vlerësoj vepren e heroit Agim Ramadani dhe të tjerëve që u flijuan për këtë ditë.
“Shpresojmë se e kemi përmbushur edhe objektivin dhe vërejtjet e mëhershme që bënte profesori i nderuar Zekria Cana, i cili na porosiste cdo herë se duhet të punojmë për historinë, duhet të punojmë që të mos na kritikoj historia. Definitivisht çdo ditë e më shumë po bindemi edhe ne si bashkëluftëtarë, kemi qenë të bindur edhe atëherë dhe besoj që edhe populli në të ardhmen, po ashtu edhe historia do ta vlerësoj veprën e Agim Ramadanit dhe gjithë atyre anë e kënd Kosovës, që u flijuan për lirinë e Kosovës dhe për këtë ditë”, përfundon Berisha.
Beteja e Koshares është një ndër betejat më të mëdha të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër armikut serb.
Palët në këtë betejë kanë qenë të pabarabarta, por UÇK, ka pasur përparësi strategjike, pasiqë beteja është zhvilluar në kufirin shqiptaro-shqiptar.
Në këtë betejë ranë heroikisht 114 luftëtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat