Pacolli: Kërkesa për bashkim kombëtar është utopike

Kosova

Pacolli: Kërkesa për bashkim kombëtar është utopike

Më: 10 prill 2014 Në ora: 22:11

Numri dy i Qeverisë së Kosovës thotë se është utopike që të kemi një shtetgjithshqiptar. Në emisionin “Rubikon” të KTV-së, Pacolli ka thënë se tashmë është e ditur botërisht se Kosova nuk do të ndahet dhe nuk do t’i bashkohet asnjë shteti.
“Por nëse krijohet një treg i përbashkët ekonomik dhe një unifikim i jetesës, nuk di çka kërkohet bashkimi kombëtar”, ka thënë Pacolli.
Ai ka thënë se takimi mes dy qeverive shqiptare në Prizren, ka qenë implementim i një prej ideve të tij.
I ftuari i Adriatik Kelmendit, ka thënë se me partnerin e tij të koalicionit, kryeministrin Hashim Thaçi ka pasur divergjenca. Por i vjen mirë që në fund të mandatit të tij ai ka nisur të flasë me gjuhën e ekonomisë.
Pacolli ka thënë se po shpenzohet shumë energji në fushatën që ende nuk ka nisur.
Ai ka treguar për një takim që do të mbahet nesër në Presidencën e Kosovës.
“Një këshilltar i lartë më ka thirr për një takim me Presidenten nesër, në orën 12:00. Nuk e di a jam i vetëm, me disa apo me të gjithë liderët. Por qëndrimi im është i qartë, reforma së pari tani zgjedhjet”, ka thënë Pacolli.
Kreu i AKR-së, ka thënë se me partinë që e drejton do të garojë i vetëm në zgjedhjet e përgjithshme. Nuk do të bëjmë koalicion parazgjedhor.
“Kolaicioni parazgjedhor na ka dëmtuar. Ne kemi programin tonë dhe duhet atë ta prezantojmë”, ka thënë Pacolli.
E tek pas zgjedhjeve thotë se do të mendojë për koalicion me partinë e cila i përshtatet më shumë programit të AKR-së.
“Nuk ka mundësi që AKR-ja të mos e kalojë pragun zgjedhor. Absolutisht nuk është preokupim i imi pragu zgjedhor por forca politike që do të marrim. Do të jemi në mes të partisë së dytë dhe tretë”, ka thënë me bindje ai.
E pas zgjedhjeve, ai thotë se synon që të jetë në postin që mund t’i çojë gjërat përpara.
“Natyrisht kryeministër, sepse nuk kemi shtet presidencial çfarë jam munduar që ta bëjmë”, ka thënë Pacolli.
As Kusari – Lila e as Agim Bahtiri nuk do të jenë pjesë e listës së deputetëve të AKR-së.
“Do të ishte mashtrim për qytetarët sikur ata të jenë pjesë e listës, dhe AKR-ja nuk e bën kurrë këtë gjë”, ka thënë Pacolli. “Qytetari është dashur të ndëshkoj partitë tjera që bëjnë një gjë të tillë”, ka shtuar ai.
Por Pacolli ka thënë se Korab Sejdiu, që kishte kaluar në AKR nga LDK-ja për të drejtuar garën e kësaj partie për kryetar të Prishtinës, do të jetë pjesë e listës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat