KQZ-ja për pak nuk bëhet me telefonë të modelit të fundit

Kosova

KQZ-ja për pak nuk bëhet me telefonë të modelit të fundit

Më: 10 prill 2014 Në ora: 20:01

Rreth 1 mijë euro në muaj marrin pagë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa drejtorët e Sekretariatit marrin mesatarisht 600 euro. Por, kjo nuk u ka mjaftuar dhe ata kanë porositur telefona mobil, modelet e fundit në treg.
Shtatë mijë euro janë ndarë për këtë me Planin e Prokurimit të KQZ-së për vitin 2014, të cilin e ka siguruar KTV-ja.

Televizioni gjithashtu ka mësuar se në momentet e fundit kjo kontratë ishte anuluar, me një vendim të kryesueses së KQZ-së, e cila nuk është pajtuar që edhe punëtorët e Sekretariatit të furnizohen me telefona e gjithashtu që kjo çështje të dalë në media.
Valdete Daka ka pranuar se e ka ndalur këtë proces por ka thënë se kjo është bërë përkohësisht, për të parë kujt i duhet telefoni e kujt jo. Daka nuk ka pranuar të flasë para kamerës sepse ka thënë se kjo është punë e Prokurimit, por ka shtuar se ka dashur të ndalojë një shpenzim të panevojshëm.

KTV-ja ka kontaktuar me Nexhmi Haxhiun, drejtorin e Prokurimit, por ai ka thënë të mos e marrim kurrë më në telefon për asgjë. Ndërkaq, nga Këshilli për Buxhet i KQZ-së është thënë se ata kanë kompetencë vetëm të tregojnë se a është me plan një shpenzim i tillë dhe asgjë më shumë.
Ndërkohë, anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes ka thënë se nuk ka qenë në dijeni që ai shpenzim ishte paraparë të bëhej për telefona mobil.
Një telefon i llojit të fundit të kompanisë Samsung në treg kushton rreth 500 euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat