Selimi: Pranimi i vendimit për Tribunalin, akt dobësie i klasës politike

Kosova

Selimi: Pranimi i vendimit për Tribunalin, akt dobësie i klasës politike

Më: 10 prill 2014 Në ora: 19:31

Zbutjen e qëndrimi të partive politike rreth formimit të Tribunalit, për krimet e supozuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje e sheh si akt dobësie të klasës politike kosovare në raport me luftën e drejtë për liri të shqiptarëve të Kosovës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në një prononcim për Telegrafin ka deklaruar se VV-ja është kundër Tribunalit për krimet e supozuara të kryera nga UÇK-ja.

Sipas tij, partia të cilën ai e përfaqëson nuk e ka ndërmend që të bëjë kompromise me këtë çështje, për dallim nga subjektet tjera politike të cilat tashmë pothuajse e kanë pranuar si akt të kryer këtë çështje.

“Vetëvendosja nuk do të pranojë asnjëherë vendime të cilat i dëmtojnë shqiptarët dhe kauzat e tyre të drejta. Konsiderojmë se krijimi i Tribunalit, të cilin nuk e ka pasur as Bosnja e Hercegovina dhe as Kroacia, e njollos luftën për liri e pavarësi të shqiptarëve të Kosovës”, ka thënë Selimi për Telegrafin.

Ai i ka komentuar edhe zërat të cilët deklarojnë se nëse nuk pranohet vendimi për formimin e Tribunalit nga ana e institucioneve të Kosovës, rrezikohen marrëdhëniet me miqtë tonë ndërkombëtarë, duke theksuar se me ndërkombëtarët duhet të sillemi si partnerë e jo si servilë.

Ndryshe, diplomatët perëndimorë vazhdojnë të japin sqarime rreth themelimit të Gjykatës Speciale për Kosovën, ndërsa insistojnë se kjo gjë nuk po bëhet për të rishkruar historinë se kush ishte viktimë gjatë luftës.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se Prishtina do ta çojë para këtë thirrje të SHBA-së dhe BE-së që të themelojë një gjykatë e cila do të merret me pretendimet e ngritura nga ekipi i Williamsonit, që hetoi dyshimet e ngritura nga Dick Marty.

Deputeti i Partisë së Pavarur Liberale, Petar Miletic, ka vlerësuar se themelimi i Gjykatës Speciale do të jetë gjë e pakëndshme, por beson se deputetët do ta çojnë këtë çështje deri në fund.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Hardinaj, ka thënë se Tribunali është një zgjidhje jo aq e mirë dhe jo aq e lehtë për Kosovën.

Gatishmëri për formimin e Tribunalit, ka treguar edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ka theksuar “Institucionet e Kosovës kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat