Thaçi deputetëve, studentët nuk kanë para si fëmitë tuaj

Kosova

Thaçi deputetëve, studentët nuk kanë para si fëmitë tuaj

Më: 10 prill 2014 Në ora: 13:30

Kryeministri Hashim Thaçi iu ka kthyer sërish çështjes së rritjes së pagave për shërbyesit civilë dhe vendimit për lirimin e studentëve nga pagesat e semestrave. Ai ka dalë në foltore të Kuvendit, pasi që për këtë temë foli deputeti i LDK’së, Sadri Ferati. “Rrogat rriten nga 1 maji. Mos u merrni më me këtë çështje, punëtorët janë të të gjitha partive”, tha ai.

Duke i akuzuar deputetët e LDK’së se janë kundër rritjes së pagave, ashtu sikurse kundër veteranëve. Veçanërisht Thaçi u mor me deputetët e LDK’së, Hykmete Bajramin. “Nuk di se pse je kundër rritjes së pagave apo vendimit për lirimin e studentëve nga pagesa e semestrit. Mos harroni, studentët e UP’së nuk para sikur fëmijët tuaj”, ka thënë ai.

Thaçi: Jemi zotuar t’i investojmë 500 milionë në bujqësi

Kryeministri i Kosovës ka ritheksuar edhe një herë se për katër vitet e ardhshme do të investojnë 500 milionë euro në bujqësi, të cilat do të bëjnë që të modernizojnë bujqësinë në Kosovë, si dhe do të krijojnë vende të reja të punës. Ai këtë e tha në seancën e Kuvendit, pas pyetjes së deputetit të Vetëvendosjes, Faton Topalli, rreth investimeve në bujqësi për vitet e ardhshme. Kreu i Qeverisë me këtë rast ka sqaruar edhe një herë vendimin e tij për lirimin e studentëve për 50 për qind për pagesën e semestrave.

Deputeti i VV-së, Faton Topalli në pyetjen e tij tha se Kryeministri Thaçi me fushatën parazgjedhore ka premtuar 500 milionë euro për bujqësi, ndërsa, për vitin e ardhshëm i ka planifikuar vetëm 29 milionë euro, e po ashtu edhe për vitin 2016, 29 milionë euro, që sipas tij, fermerët e Kosovës janë shqetësuar për mënyrën e ndarjes së grandeve dhe keqpërdorimeve që po bëhen në këtë drejtim.

Por, Kryeministri Thaçi tha se ata janë zotuar se do të ndajnë për çdo vit 120 milionë euro për bujqësinë dhe për katër vitet e ardhshme ato do të arrijnë në 500 milionë.

“Po, ne jemi zotuar që të ndajmë 500 milionë euro për investime në bujqësi. Investime këto që do të sjellin modernizimin e bujqësisë, krijimin e vendeve të reja të punës. Për çdo vit, duke filluar nga viti i ardhshëm do të ndahen nga 120 milionë euro në vit, tash me rishikim do të rritët, pra, investimet në katër vitet e ardhshme do të jenë 500 milionë euro”, tha Thaçi.

Ai ka shtuar se janë zotuar dhe se do të filloj implementimi i vendimit të tyre ku për çdo hektar që një qytetar i mbjellë vreshta do të paguhet me nga 1 mijë euro, ndërsa, për gjithë qytetarët që punojnë tokën për çdo hektar do të kenë nga 300 euro.

Mirëpo, me këtë konstatim të kryeministrit nuk është pajtuar deputeti i VV-së, Faton Topalli, i cili tha se parashikimet që janë bërë për vitet 2015 dhe 2016 nuk janë me shumë se 29 milionë euro.

“Sigurisht se do të dëshiroja të ishin 120 milionë në vit por çështja qëndron se në buxhet keni planifikuar vetëm 29 milionë për vitin 2015, ndërsa, për vitin 2016 asnjë cent më shumë, kështu që është kundërthënës e kjo, 120 milioneshi që thoni dhe atë që e buxhetoni”, tha Topalli.

Në përgjigjen e tij, kryeministri Thaçi ka preferuar që t’ia lënë ministrit të Financave që të sqaroj me shumë, por se investimet në bujqësi do të jenë 500 milionë euro. Mirëpo, ai e ka shfrytëzuar këtë rast, për të sqaruar edhe një herë lirimin e studentëve nga pagesa e semestrave për 50 për qind.

“Të gjithë studentët e universiteteve publike, rreth 60 mijë do të jenë të liruar nga pagesa e semestrave për 50 për qind, këtu përfshihen studentët, bachelor, mastar dhe kandidatët për doktoratë, gjithashtu zbritje për 50 për qind do të ketë për studentët që banojnë në konvikte dhe ushqimi në mense. Nëse një familje ka me tepër se një studentë do të paguaj vetëm për një. Ndërsa për brucoshët regjistrimi i tyre do të jetë krejt gratis”, tha Thaçi.

Ndërsa, në shpjegimin e tij, Ministri i Financave Besim Beqaj tha se me korniz ën afatmesme do të kenë minimum 100 milionë euro për bujqësi, duke përfshirë edhe donacionet.

“Korniza afatmesme e shpenzimeve është në proces, tanimë kanë filluar konsultimi me të gjitha organizatat buxhetore në bazë të ligjeve, KASH-i do të prezantohet deri në fund të këtij muaji, pra, 30 prill, ne kemi ftuar të gjitha organizatat buxhetore. Dhe në vitin e ardhshëm do të jenë minimum 100 milionë euro në bujqësi, duke përfshirë edhe buxhetin por edhe buxhetin nga donacionet dhe fondet”, tha Beqaj.

Ndërsa, deputeti Topalli tha se ky planifikim nuk i ndihmon as bujqve, nuk i ndihmon as qytetarëve të Kosovës.

“Nëse ka qenë i planifikuar buxheti për 2014, e janë paraparë mjetet për 2015 dhe 2016, nuk janë 120 milionë, por janë me pak se 29 dhe me shumë se 28 milionë për vitin 2015. Për 2016 janë 29 milionë sa i keni paraparë. Por kjo i bie që mund të fillojmë të jetojmë prej vitit të ardhshëm. Ky planifikim nuk i ndihmon as bujqve nuk i ndihmon as Kosovës as qytetarëve të Kosovës. Edhe ky fakt tregon se qeveria ka huqur sa i përket menaxhimit, administrimit”, tha Topalli.

Megjithatë, ministri Beqaj ka siguruar se këto investime do të ndodhin në bujqësi, duke qenë se vetëm në tre mujorin e parë të këtij viti kanë mbledhur 20 milionë euro me shumë se sa vitin e kaluar vetëm nga doganat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat