Deputetët diskutojnë çështje të ndryshme në Kuvend

Kosova

Deputetët diskutojnë çështje të ndryshme në Kuvend

Më: 10 prill 2014 Në ora: 11:47

Gjatë deklarimeve të lira në seancën e Kuvendit, Lidhja Demokratike e Kosovës shprehu shqetësimin me mënyrën e funksionimit të Agjencisë së Prokurimit Publik.

Ismet Beqiri, nga LDK-ja tha se për gjashtë vjet Qeveria ka lejuar në kundërshtim me ligjin që ky institucion të ketë ushtrues detyre, ndërsa tani në fund të mandatit shpall konkurs. Ai tha se ka bazë për të hetuar se çka po ndodhë në këtë agjenci. Ndërkohë, deputetët gjatë seancës ngritën edhe çështje të tjera që shqetësojnë qytetarët e vendit.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se ka bazë për të bërë hetime në Agjencinë e Prokurimit Publik. Ai tha se Qeveria për gjashtë vjet pozitën e drejtorit të kësaj agjencie e ka lënë me ushtrues detyre, gjë që është në kundërshtim të plotë me ligjin.

“Kryeministri ka vazhduar të mbajë pozitën e këtij drejtori ekzekutiv të Agjencisë së Prokurimit Publik me ushtrues detyre për gati gjashtë vjet me radhë, në kundërshtim të plotë me Ligjin për prokurimin publik. Pas gjashtë vjetësh, e që ka pasur të drejtë vetëm gjashtë muaj, tash ka shpallur konkurs. Këtu ka bazë për të hetuar se çka ka ndodhur në këtë agjencion të prokurimit publik”, tha Beqiri.

Ndërkohë, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ngriti çështjen e shkatërrimit dhe mbylljes së memorialit të dëshmorëve të UÇK-së në Marinë të Skënderajt.

“Mbyllja e këtij memoriali është ofendim për të gjithë dëshmorët dhe familjarët e tyre. Është ofendim për shtetin tonë. Prandaj kërkoj nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës që urgjentisht të merret me këtë çështje dhe t’i hiqet dryri këtij kompleksi që është krenaria e Kosovës”, tha Musliu.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi fajin për mosmirëmbajtjen e këtij memoriali ia hodhi Qeverisë së Kosovës, duke thënë se Agjencisë në fjalë nuk i është ndarë buxheti i nevojshëm.

“Agjencioni nuk e ka përgjegjësinë. Përgjegjësia është e Qeverisë dhe e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Edhe ne si deputetë e kemi përgjegjësinë, sepse ne kemi votuar që buxheti t’i mbetet ministrisë dhe jo agjencionit”, tha Krasniqi.

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani është përballur me shumë kritika nga deputetët e opozitës, për gjendjen në shëndetësi, duke përfshirë edhe kritikat e deputetëve të PDK-së, Bekim Haxhiu.

“Gjendja në shëndetësinë tonë mbetet e rëndë, dhe atë jo për shkak të mbështetjes nga institucionet, por për shkak të paaftësisë së ministrit Agani për ta menaxhuar këtë dikaster”, tha Haxhiu.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani u përgjigj me këtë rast. “Është e qartë që kemi hyrë në periudhën e fushatës parazgjedhore dhe deputetët po i shprehin qëndrimet e tyre në funksion të ngritjes së reitningut politik, por nuk po i kuptoj disa deputetë të pozitës”, tha Agani.

Gjatë seancës deputetët në rend dite për shqyrtim kanë një sërë projektligjesh, duke përfshirë edhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë eksportuese e lidhur ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG për financimin e Projektit “Modernizimi i sistemit të arsimit të edukimit në Kosovë përmes E-edukimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat