Thaçi: Kuvendi duhet ta votojë Gjykatën Speciale

Kosova

Thaçi: Kuvendi duhet ta votojë Gjykatën Speciale

Më: 10 prill 2014 Në ora: 07:06

Themelimin e Gjykatës Speciale kryeministri e ka arsyetuar me nevojën për ta pastruar Kosovën nga pretendimet që përmend raporti
“Kemi vetëm një opsion – ai është që të bashkëpunojmë ngushtë me SHBA-në, me BE-në dhe ta formojmë këtë Gjykatë Speciale, e cila do të jetë nën juridiksionin e Kosovës”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Kryeministri Hashim Thaçi i ka dhënë fund heshtjes për Gjykatën Speciale, e cila pritet të gjykojë personat përgjegjës për krimet më serioze që pretendohet se janë kryer gjatë viteve 1998 - 2000 nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e që janë të evidentuara në raportin e senatorit Dick Marty. Themelimi i saj ka thënë të jetë padrejtësi për Kosovën, megjithëkëtë ka shtruar nevojën që Kuvendi të votojë pro themelimit të këtij mekanizmi ndërkombëtar të drejtësisë.

Në raportin e Martyt, që inkriminon UÇK-në, është përmendur edhe vetë Thaçi. Por, të tërë raportin kryeministri e ka quajtur spekulativ. Ai ka thënë se beson jetësisht që UÇK-ja ka bërë luftë të pastër e të drejtë.

Tek ka folur në një intervistë për “Kohën Ditore”, themelimin e Gjykatës Speciale kryeministri e ka arsyetuar me nevojën për ta pastruar Kosovën nga pretendimet që përmend raporti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat