Kurti për "Al Jazeera Balkan": Vucici si Putini

Kosova

Kurti për "Al Jazeera Balkan": Vucici si Putini

Më: 9 prill 2014 Në ora: 21:20

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka dhënë një intervistë për televizionin "Al Jazeera Balkan", ku ka folur për shumë tema, kryesisht ato të raporteve Kosovë-Serbi, dhe për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kurti ka thënë se pas zgjedhjeve të fundit, Serbia nuk do t’i ndryshojë objektiva, por vetëm mjetet. Kryeministrin e ardhshëm serb, Aleksandar Vucicin, e ka krahasuar me Putinin.
Në një pjesë të intervistës Kurti ka thënë se atë e kaplon frika vetëm atëherë kur nuk është i vendosur se cila zgjidhje është më e mirë, por në rastin tjetër, kur ai është i bindur se vendimet e tij janë të drejta, nuk e llogaritë fare, nëse do ta humbiste edhe jetën.
"I frikësohem vetëm pa vendosmërisë, kur nuk e di cila zgjidhje është më e mirë apo më e drejtë. Mirëpo, kur jam i bindur që vendimet e mia janë të drejta, thjeshtë nuk e llogaris humbjen e jetës. Thuhet se mund të jetohet gjatë apo mund të jetohet plotësisht. Mua më pëlqen kjo plotësisht. Jeta fiton vlerë të madhe nëse brenda saj ka edhe diçka përveç asaj vet. Për mua janë të rëndësishëm shokët dhe lufta. Me të vërtetë do të isha frikësuar, sikur të mbetem pa këto të dyja", ka thënë Kurti, transmeton reporteri.

Ndërsa kur është pyetur nëse ka miq në Serbi, Kurti ka thënë se ka kontakte me njerëz, të cilët momentalisht, për fat të keq, janë braktisur nga bashkësia ndërkombëtare.
“Kemi kontakte me njerëz të cilët janë braktisur plotësisht nga bashkësia ndërkombëtare. Këta janë njerëz që nuk kanë ndjekur rrugën e Nikola Pasicit, por atë Dimitrie Tucovicit, të tillë për shembull si: Cedomir Jovanovic e Zarko Kovac. Kur i pyes disa zyrtarë të BE-së, pse nuk po i mbështesni këta njerëz, përgjigja e tyre është - për shkak se ata janë të dobët”, është përgjigjur Kurti.
Kur ka folur për Aleksandar Vucicin, Kurti atë e ka krahasuar me Putinin. Ai ka thënë se as tani pas zgjedhjeve të fundit, Serbia nuk do t’i ndryshojë objektiva, por vetëm mjetet.
“Ata dëshirojnë të bëhen një Rusi e vogël në Ballkan, ndërsa të tjerët të jenë satelit të tyre. Kështu po bënë edhe Putini... Unë mendoj se Beogradi i udhëhequr nga Vucic do që të aplikojë një model mbi Bosnjën, me modelin e Moskës, për ta bërë atë në një shtet të dështuar. Ndërsa tridhjetë për qind e popullsisë së Malit të Zi dhe partitë e tyre politike nuk e pranojnë pavarësinë e Malit të Zi, deklarohen si pjesëtarë të kombësisë serbe. Interesante , apo jo?”, thotë Kurti, duke e lidhur këtë me një përqindje përafërsisht të njëjtë të ukrainasve, të cilët dëshirojnë t’i bashkohen Rusisë.
Ndërsa në vërejtjen e gazetarit, se nuk mund të shikohet kështu, pasi lidhjet e serbëve dhe malazezëve janë shumë të fuqishme, pasi vetëm pak kohë më parë ata ishin të afërt sikurse Kosova me Shqipërinë, Kurti ka thënë: “Unë, megjithatë mendojnë se malazezët dhe serbët janë dy kombe të ndryshme, ndërsa shqiptarët janë një. Kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk është krijuar nga shqiptarët. Ndërsa Mali i Zi kishte një referendum. Më shumë se 50 për qind e popullsisë së vendit ka zgjedhur shkëputjen. Ju nuk mund të krahasoni marrëdhëniet në mes të Malit të Zi dhe Serbisë me marrëdhëniet që kemi ne me Shqipërinë”.
Në ‘provokimin” e gazetarit se në Tiranë, nuk mund të dëgjosh një mendim pozitiv për kosovarët, Kurti ka thënë se statistikat e dëshmojnë të kundërtën. “Sipas hulumtimeve të Gallup International, 63 për qind e popullsisë në Shqipëri mbështesin bashkimin me Kosovë, dhe në Kosovë, 81 për qind e mbështesin këtë bashkim”.
Ndërsa, kur flet për zhvillimin e vendit dhe korrupsionin, Kurti thotë se nuk mendon që ky i fundit është shkaktar i të parit, por e kundërta.“Unë mendoj se korrupsioni nuk është shkaku i prapambetjes , por zhvillimi i dobët shkakton korrupsionin” .
Ai një pjesë të madhe të fajit për këtë ua hedh ndërkombëtarëve të cilët kanë administruar me Kosovën në 15 vitet e fundit. “
Ne duhet të rinegociojmë marrëdhëniet tona me BE-në. Ne kemi nevojë për mjekë, profesorë e inxhinierë nga BE, jo për policë dhe ushtarë”, tha ai.
I pyetur se kush është sot armiku i Kosovës, Kurti thotë: “Në të parën, do të përmendja agresionin serb, ndërsa nga ana tje tër është neoliberalizmi, që ka të bëjë me privatizimin dhe kufizimin e problemit të infrastrukturës vetëm në asfalt. Gjatë viteve të nëntëdhjeta, Kosova ishte një burg politik – por kemi pasur barazi, sepse në burg të gjithë janë të njëjtë, por nuk kishte liri”, tha ai.
“Që nga viti 2000, Kosova për shkak politikës së bashkësisë ndërkombëtare, është një spital ku nuk ka barazi, sepse ne trajtohemi si pacientë – edhe pse e kemi lirinë. Nga pikëpamja ekonomike në vitet '90 ne ishim në burg, dhe tani ne jemi lëshuar në xhungël, ku ne kemi lirinë, por nuk ka barazi, dhe pikërisht ky është neoliberalizmi. Në burgun e Slobodan Milosevicit qëndruam për 10 vjet, ndërsa spitali i bashkësisë ndërkombëtare po vazhdon për 15 vite”, ka thënë Kurti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat