Projektligji për zgjedhjet në fazën finale

Kosova

Projektligji për zgjedhjet në fazën finale

Më: 8 prill 2014 Në ora: 16:08

Projektligji për zgjedhjet e Përgjithshme, aktualisht është duke u shqyrtuar për leximin e dytë në Komisionin për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës.
Anëtaret e këtij komisioni, vazhdojnë të kenë mendime të kundërta rreth ndryshimeve të mundshme që duhet t’i bëhen këtij projekt-ligji, derisa ai të miratohet përfundimisht.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se të hënën do të diskutohet për disa ndryshime teknike në komision dhe gjatë asaj jave do të dalë në leximin e radhës në parlament.
“Pas leximit të parë në leximin e dytë mund të ketë ndryshime sa i takon bartësit të listës dhe pragut për kandidatët e pavarur. Ndërsa, ndryshimet e tjera do të jenë ndryshime teknike jo përmbajtjesore”, deklaroi Gashi.
Kurse, përfaqësuesja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, anëtare e komisionit tha se para se ligjit të dal në diskutim, duhet të ketë një dëgjim publik.
Për më tepër, ajo tha për Radion Evropa e Lirë se janë disa çështje për të cilat Vetëvendosja, do të bëjë amendamente në mënyrë që të ketë ndryshime nga draft-ligji aktual.
“Amendamentet, në fokus të veçantë kanë të bëjnë me të drejtën për të votuar, pra ku kemi insistuar që vetëm shtetasit e Kosovës të ketë të drejtën për të votuar. Më tej, që numërimi të përqendrohet në qendra komunale të numërimit dhe jo në vendvotime dhe atë përmes kamerave dhe skanerëve”.
“Një problem tjetër, i cili është në draft-ligjin aktual ka të bëjë më bartësin e listës, pra të gjitha votat e subjektit politik t’i shkojnë bartësit të listës dhe lista e kandidatëve të fillojë prej numrit dy. Nëse, mbetet kështu, nuk është aspak demokratike”, theksoi Haxhiu.
Nga ana tjetër, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, kanë thënë se “ky ligj nuk promovon një reformë substanciale zgjedhore çfarë Kosova ka pasur nevojë”.
Sipas tyre, mosrealizimi i reformave ka ardhur si rezultat i mungesës së vullnetit nga të gjitha partitë parlamentare.
Anëtari i Komisionit për Legjislacion, Behar Selimi, nga PDK-ja tha se subjekti i tij politik mbështet këtë ligj dhe siç u shpreh ai, me të mund të shkohet në zgjedhjet e ardhshme.
“Ne jemi dakorduar që këto ndryshime të karakterit teknik që janë bërë deri më tash të pranohet dhe projektligji, si i tillë, të dorëzohet në lexim të dytë përkatësisht në aprovim dhe me këtë ligj të shkohet në zgjedhje”, u shpreh Selimi.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi, deklaroi se një nga sfidat aktuale për projektligjin në fjalë, është kohë e ndryshimeve dhe se a mund të shkohet me këto ligje në zgjedhjet e ardhshme nëse ato mbahen në muajin qershor.
“Sfida është koha, nëse zgjedhjet mbahen në qershor, atëherë ky ligj është vështirë i implementueshëm, por duhet të konsultohemi edhe me KQZ-në për të parë se a mund të implementohet pjesërisht apo plotësisht, apo se si do të veprojmë”, tha Gashi.
Njohësit e proceseve zgjedhore kanë thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nuk do të mund të përgatitet dhe të hartojë rregullore për zbatimin e ligjit të ri, nëse zgjedhjet mbahen nga fundi i majit apo fillimi i qershorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat