OSBE përshëndet miratimin e deklaratës së Kuvendit për bashkëpunim me shoqërinë civile

Kosova

OSBE përshëndet miratimin e deklaratës së Kuvendit për bashkëpunim me shoqërinë civile

Më: 8 prill 2014 Në ora: 12:19

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, e ka përgëzuar Kuvendin e Kosovës me rastin e miratimit të një deklarate partneriteti me shoqërinë civile në mbledhjen plenare të datës 3 prill 2014. “Vendimi i Kuvendit është me rëndësi të madhe për zhvillimin e mëtejmë demokratik në Kosovë”, tha Schlumberger.

“Zbatimi i deklaratës do të shpie drejt përfshirjes më të madhe të OJQ-ve në ligjbërje dhe në mbikëqyrje të qeverisë, si dhe do të rrisë llogaridhënien e degës legjislative dhe ekzekutive të qeverisë.”
Deklarata parasheh konsulta me shoqërinë civile dhe projekte të përbashkëta për të rritur pjesëmarrjen e publikut në punën e Kuvendit, reforma legjislative për të rregulluar statusin e vullnetarëve në organizatat e shoqërisë civile dhe për të lehtësuar financimin, si dhe organizimin e një konference vjetore Kuvend-shoqëri civile për të përcaktuar prioritetet zhvillimore për Kosovën.

OSBE ka përkrahur hartimin e deklaratës përmes një procesi konsultativ me anëtarë të Kuvendit dhe me mbi 70 OJQ. Schlumberger premtoi veprime konkrete në mbështetje të zbatimit të saj, duke filluar me krijimin e një grupi punues të përhershëm Kuvend-shoqëri civile.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat promovimin e te drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat