Posselt: Do të përpiqemi t’i heqim vizat për Kosovën këtë vit

Kosova

Posselt: Do të përpiqemi t’i heqim vizat për Kosovën këtë vit

Më: 8 prill 2014 Në ora: 10:52

Ndonëse ka një bllokadë nga disa vende të BE-së, eurodeputeti, Bernd Posselt, anëtar i Komitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian dhe i Delegacionit për Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Malin e Zi, Bosnjë e Hercegovinën, tha në një intervistë ekskluzive për Radio Kosovën se, ai dhe disa eurodeputetë tjerë, po punojnë dhe do të përpiqen për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën këtë vit.

"Fillimisht më duhet të them se Raporti i Progresit i Bashkimit Evropian për Kosovën, i publikuar në vjeshtë, ka qenë mjaft pozitiv. Pastaj, siç e dini, në fillim të këtij viti Parlamenti Evropian ka përmbledhur një raport në përgjigje të Komisionit Evropian, i cili ka qenë shumë, shumë pozitiv. Prandaj, më duhet të them se organet e Bashkimit Evropian i vlerësojnë shumë pozitivisht zhvillimet në Kosovë".

Sipas tij, janë katër pika që duhet përmbushur.

“Së pari, të pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën, duhet ta njohin atë sa më parë që të jetë e mundur dhe pa humbur kohë. Shpresoj se tani, kur janë kryer zgjedhjet për president të shtetit në Sllovaki, nga Presidenti i ri do të ketë lëvizje në këtë drejtim dhe shpresoj pastaj kjo do të ndiqet edhe nga shtetet tjera. Çështja e dytë që është shumë e rëndësishme, për të cilën unë angazhohem personalisht. është që Kosova sa më shpejt që të jetë e mundur, të përmbyllë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Marrëveshjen për Tregtinë me BE-në dhe ajo që është edhe më e rëndësishme, të hiqet regjimi i vizave i Bashkimit Evropian për Kosovën. Duhet të përpiqemi që mundësisht, këtë ta realizojmë brenda këtij viti”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat