Vetëvendosje: Nuk luftohen ethet hemorragjike me konferenca

Kosova

Vetëvendosje: Nuk luftohen ethet hemorragjike me konferenca

Më: 7 prill 2014 Në ora: 17:49

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Malishevë ka shprehur sot një shqetësim për luftimin e etheve hemorragjike, duke konsideruar kështu se institucionet nuk janë duke bërë asgjë, e sipas tyre këto ethe nuk luftohen vetëm me tryeza e konferenca.

Sipas Vetëvendosjes, rreziku nga ethet hemorragjike këtë vit duket se është edhe më i madh nga vitet paraprake, e kjo ndodh sipas tyre për shkak të mungesave të ngricave në dimër, mungesës së spërkatjes që në muajt e hershëm të vitit.

“Kjo bënë që ky vit të jetë viti më kritik sa i përket problemit me ethet hemorragjike që përballet Malisheva dhe disa komuna për rreth tash e disa vite, ku humbën jetën dhjetëra qytetarë të Kosovës”, thuhet në një njoftim të tyre.

Lëvizja Vetëvendosje, thotë se ata deri më tani kanë paralajmëruar dhe kanë treguar plane konkrete për rrezikun e kësaj epidemie, mirëpo sipas tyre institucionet përgjegjëse nuk e kanë marrë parasysh, ndërsa sipas VV-së, institucionet ende kanë luksin që kësaj sëmundje vdekjeprurëse ti dalin në ballë vetëm me konferenca, takime dhe tryeza, të cilat nuk po japin rezultate në terren.

“Edhe pse kanë kaluar dy muaj nga paraqitja e pickimit të parë nga rriqrat për këtë vit, institucionet ende nuk kanë marrë mundin që të fillojnë spërkatjen në zonat endemike, përkundër motit të mirë që ka mbretëruar këto ditë. I gjithë fokusi i tyre është tek disa paraqitje mediale në konferenca e seminare”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ata thonë se pushteti aktual pati mashtruar me premtimet e tyre që brenda vitit të parë të qeverisjes do ti zhdukte rriqrat, edhe pse ka qenë në njohuri se kjo gjë është e pamundur.

Vetëvendosje në Malishevë, përmes këtij njoftimi u ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë lokale që të marrë seriozisht rrezikun dhe nga deklaratat të kalojnë në veprime konkrete sepse sipas tyre, qytetarët e Malishevës por edhe të komunave për rreth janë të rrezikuar.

Sipas tyre, neglizhenca e Institucioneve të Kosovës, lokale dhe qendrore mund të jetë fatale për jetën e qytetarëve tà « këtyre zonave.

“Çdo minutë i humbur në neglizhencën burokratike, mund të jetë një jetë e humbur”, thuhet në fund të këtij njoftimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat