Katër ditë kohë për ndryshimin e Projektligjit për Zgjedhjet

Kosova

Katër ditë kohë për ndryshimin e Projektligjit për Zgjedhjet

Më: 7 prill 2014 Në ora: 17:03

Projektligji për zgjedhjet, ka kaluar në shqyrtimin e dytë në Komisionin për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, me kusht që deri të premten të dërgohen të gjitha amendamentet nga të gjithë të interesuarit, e të njëjtat të diskutohen në një punëtori në ditën e hënë e cila do të mbahet në ora 12:00 para se ti dërgohen Kuvendit.

Megjithatë, përfaqësuesja nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që ky komision të mbajë edhe një dëgjim publik për këtë projektligj.

“Komisioni për Legjislacion, do të duhej të organizonte ndoshta brenda kësaj jave dëgjimin publik, gjithashtu ju e dini që ne kemi vërejtje nga Avokati i Popullit dhe vërejtje nga shoqëria civile apo grupe të cilat e kanë përcjellë punën e komisionit si dhe në qoftë se e analizojmë transkriptin e seancës plenare kemi shumë propozime të drejta që i kanë dhënë deputetët. Unë mendoj që nuk duhet me u ngut edhe pse jemi që zgjedhjet të mbahen sa më shpejtë por është shumë e rëndësishme që gjatë këtij shqyrtimi të dytë të jemi të vëmendshëm dhe gjithëpërfshirës”, ka thënë ajo.

Megjithatë, ky propozim është kundërshtuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Arsim Bajrami nga kjo parti, ka thënë se së pari duhet të priten të gjitha amendamentet e grupeve të ndryshme që kanë të drejtë ta bëjnë një gjë të tillë, mirëpo jo edhe të mbahen dëgjime publike.

"Nuk e quaj të nevojshme që ne në këtë fazë të mbajmë dëgjime publike sepse ne kemi pas seanca publike para se ta dërgojmë në Parlament. Ne e kemi trashëguar komisionin ad-hoc dhe gjatë punës sa e kemi bërë si komision funksional para se të bëhet leximi i kemi pas disa debate publike me partnerët e edhe me shoqërinë civile e cila ka qenë pjesëmarrëse. Mirëpo gjykoj se neve do të na duhet ndoshta si komision funksional një punëtori finale për ta rishikuar ligjin sidomos”, ka theksuar ai.

Kurse, Ardian Gjini nga AAK-ja, është shprehur se komisioni duhet t’i merr të gjitha amendamentet në mënyrë që ato ndryshime të diskutohen brenda dy ose tre ditëve dhe ky dokument të përfundon.

“Unë mendoj që komisioni duhet që ti merr amendamentet eventuale të deputetëve për shkak se duhet të kem amendamente dhe definitivisht që komisioni duhet të jetë mbështetje ose jo për amendamentet që vijnë, duhet të sheh vet se çka mund të amandamentohet në ligj dhe me të vërtetë se na duhet një lloj punëtorie ose format i njëjtë i grupit punues, mendoj se për këtë ligj grup punues mund të jetë vet komisioni dhe me marrë brenda javës së ardhshme një ditë ose dy të punës dhe me marrë këtë projektligj dhe me përfundua”, është shprehur ai.

Gjini ka thënë se komisioni duhet të marrë edhe një mendim praktik nga KQZ-ja nëse kjo e fundit do të mund ta zbatonte një projektligj të tillë ose jo.

Edhe Halit Krasniqi nga PDK-ja ka kërkuar që këtij projektligji t’i jepet vëmendja e merituar.

“Do të ishte mirë që me një respekt të plotë dhe me një vëmendje të merituar të kalojnë në komision të gjitha amandamentet e propozuara dhe ato mund të bëhen me një mbledhje të tillë por vetëm në një tryezë pune që ta quajmë si të doni dhe ta bëjmë ku të doni. Por të kaloj me një vëmendje të merituar dhe me një analizë të plotë”, është shprehur ai.

Armend Zemaj nga LDK, ka kërkuar që mos të mbështeten shumë në procedura por të punojnë për aq sa mund të bëjnë në këtë kohë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat