Nisma për Kosovën, e dëmton PDK-në dhe AAK-në

Kosova

Nisma për Kosovën, e dëmton PDK-në dhe AAK-në

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 7 prill 2014 Në ora: 13:54

Nisma për Kosovën e Fatmir Limajt, dikur personi më i votuar në PDK pas Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit, kryetar aktual i Kuvendit të Kosovës me mandat të PDK-së, është në vrullin kulmor për formimin infrastrukturës partiake me themelimin e degëve dhe nëndegëve të saja, thotë analisti politik, Nehat Hyseni për Gazetën “Bota sot”.

Hyseni thekson se sipas të gjitha gjasave, kjo parti e re politike pretendon kryesisht anëtarësinë dhe elektoratin e pakënaqur të PDK-së me përformancën e kësaj partie në qeverisjen e Kosovës.

“Por, pretendimet e saj nuk janë kufizuar vetëm në këtë, por ka gjasa që edhe një pjesë e mirë e AAK-së, si "krah i luftës", të aderoj në Nismë. Sepse, AAK e shpenzoi në mënyrë hazardere tërë potencialin e fituar dhe të akumuluar të Ramush Haradinajt në Hagë me pretendimet e papjekura politike pas lirimit të tij nga Haga. Në vend që të demonstronte vendosmëri bindëse për ta ndryshuar Kosovën, lideri i saj shprehu dobësi të pajustifikueshme me apetitet joparimore për pushtet”, thotë ai.

Ai pohon se Nisma për Kosovën ka më shumë gjasa që të merr nga PDK kryesisht deputetët dhe aktivistët e dëshmuar si të majtë, madje disa prej tyre si majtistë dhe enveristë të përbetuar. Kjo do t'i sjellë anëtarësi në mjediset relativisht të pazhvilluara të Kosovës, tek shtresat rurale, kurse në mjediset urbane zor se do të vërehet prania e tyre domethënëse.

“Me paraqitjen e Nismës për Kosovën janë paraqitur disa qasje kundërthënëse. Sepse, ata deklarojnë luftën kundër korrupsionit si prioritet të tyre politik, në ndërkohë që vet kreu i saj akuzohet për korrupsion marramendës gjatë kohës kur ishte ministër”, vlerëson Hyseni.

Sipas tij, sfidë e veçantë e kësaj partie të re politike do të jetë Lëvizja VV, sepse kanë vizion dhe program të deklaruar shumë të përafërt me njëra tjetrën. Prandaj, pritet që një pjesë e VV t'i bashkëngjitet Nismës.

“Pra, Nisma për Kosovën, si parti politike në themelim e sipër, nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin në qershor, do ta kishte shumë vështirë ta kapërcej pragun (cenzusin) zgjedhor prej 5% dhe të hyj në Parlament, meqë i duhet kohë për ndërtimin e infrastrukturës partiake dhe shtrirjes së saj në tërë Kosovën”, thotë Hyseni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat