Dio Guardi: Politika e Kosovës duhet të marrë përgjegjësi

Kosova

Dio Guardi: Politika e Kosovës duhet të marrë përgjegjësi

Më: 7 prill 2014 Në ora: 11:37

Këshilltarja për Ballkanin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Shirley Cloyes DioGuardi, ka thënë se në Kosovë duhet të konsiderohet ndërprerja e misionit të EULEX-it dhe OKB-së.

“Personalisht nuk e kuptoj synimin e një zgjatjeje të misionit. Mendoj se do të kishte si qëllim mbarëvajtjen e sistemit gjyqësor, por ne kemi parë që puna e deritanishme nuk ka dhënë rezultate. Prandaj mendoj se duhet të konsiderohet ndërprerja si e EULEX-it dhe e përfshirjes së OKB-së, pasi tani në Kosovë kemi të bëjmë me një lloj protektorati dhe nuk kemi pavarësi të plotë”, ka thënë ajo në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

Zonja Cloyes DioGuardi ka thënë se klasa politike në Kosovë duhet të marrë përgjegjësi për zhvillim të vendit, përndryshe në Kosovë do të ketë një konflikt të ngrirë që mund të zgjasë për vite.

“Duhet që të ketë një zhvillim të ri në politikën kosovare, e cila duhet të marrë përgjegjësi para gjithë popullatës, duke përfshirë shumicën shqiptare, serbët dhe minoritetet e tjera, në lidhje me përparimin vendit. Nëse nuk veprohet kështu, do të kemi një konflikt të ngrirë që mund të zgjasë për vite me radhë, duke bërë që popullata në Kosovë, me moshë mesatare mjaft të re, të mos ketë një të ardhme. Mjafton të shihet se sa të rinj kërkojnë të largohen nga vendi. Por, në anën tjetër, ka edhe shumë njerëz nëpër botë, një diasporë mjaft e përgatitur, që do të dëshironte të kthehej në Kosovë dhe ne duhet ta bëjmë realitet këtë mundësi”, është shprehur Shirley Cloyes DioGuardi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat