Meta në Manastirin e Deçanit: Toleranca fetare e rëndësishme

Kosova

Meta në Manastirin e Deçanit: Toleranca fetare e rëndësishme

Më: 6 prill 2014 Në ora: 16:21

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta e mbylli vizitën e tij zyrtare në Kosovë me një vizitë në shtëpinë e këngëtares së madhe znj. Nexhmije Pagarusha, vizitë në Manastirin e Deçanit, Homazhe në Varrezat e Gllogjanit dhe vizitë në Familjen Haradinaj, si dhe një vizitë të zgjeruar në Komunën e Gjakovës.
Z. Meta e filloi ditën e fundit të vizitës në Kosovë me një ndalesë emocionale në shtëpinë e këngëtares së madhe shqiptare, znj. Nexhmije Pagarusha në Prishtinë, së cilës z. Meta i shprehu mirënjohjen e Shqipërisë për kontributin dhe krenarinë që zëri i saj i ka dhuruar kombit shqiptar në vite. Z. Meta u shpreh se nuk mund të largohej nga Prishtina “pa vizituar Divën e muzikës shqiptare së cilës i përulemi me mirënjohje të thellë për të gjitha emocionet që i ka dhuruar publikut mbarëshqiptar në dekada”.

Mes emocionesh, Znj. Pagarusha, shprehu se sa e vlerësuar është ndjerë nga publiku shqiptar, ndërsa e falenderoi Kryetarin e Kuvendit për këtë nderim që vazhdon t’i dhurohet, jo vetëm nga publiku, por edhe nga shteti shqiptar. Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta zhvilloi gjithashtu edhe një vizitë në Manastirin e Deçanit .

Pas vizitës, z. Meta u shpreh: ” Jam sot këtu për të mbështetur forcimin e klimës së tolerancës fetare dhe të bashkëjetesës etnike. Shqipëria i kushton rëndësi tolerancës fetare dhe bashkëjetesës etnike, duke qenë e vëmendshme ndaj respektimit të të drejtave të njeriut.”, tha z. Meta.

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, vijoi vizitën me homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan, ku u prit nga z. Ramush Haradinaj dhe nga përfaqësues të familjeve të dëshmorëve të Gllogjanit. “Është nder që jemi këtu sepse përulemi gjithmonë me mirënjohje të thellë ndaj popullit të Gllogjanit dhe në radhë të parë ndaj bijve të Gllogjanit që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Jemi këtu për të parë drejt së ardhmes, duke nderuar kujtimin e të rënëve, edhe duke punuar për ta çuar përpara amanetin e tyre për një Kosovë të lirë, por edhe për një Kosovë të begatë. Për një Kosovë ku fëmijët të rriten, të edukohen dhe të jenë krenarë për vendlindjen e tyre, për të parët e tyre, por edhe që të mos mendojnë më për t’u larguar nga Gllogjani, Deçani dhe nga Kosova, por përkundrazi ta realizojnë të ardhmen pikërisht këtu, në vendi e të parëve të tyre. Lavdi dëshmorëve të Gllogjanit dhe të gjithë Kosovës, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbarësi për popullin tuaj, për komunitetin tuaj”, theksoi z.Meta pas homazheve në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan.

Me këtë rast, z. Meta dhe delegacioni që e shoqëronte bëri një vizitë në Familjen Haradinaj, ku shprehu mirënjohjen për kontributin dhe sakrificat e kësaj familjeje për Kosovën dhe gjithë kombin shqiptar.

Kryetari i Kuvendit,z. Ilir Meta e përfundoi vizitën e tij në Kosovë me një pritje të ngrohtë në Komunën e Gjakovës, ku u prit nga Kryetarja e re e kësaj komune, znj. Mimoza Lila Kusari. Gjatë takimit, z. Meta shprehu kënaqësinë për këtë vizitë të parë si Kryetar Kuvendi në Komunën e Gjakovës. “Unë dëshiroj të falënderoj Kryetaren e Komunës së Gjakovës, znj. Mimoza Kusari për mikpritjen. Ne do të jemi këtu gjithnjë e më shpesh, jo thjesht për takime kortezie dhe për të shkëmbyer mendime, por për të çuar përpara projekte konkrete, siç u përmend këtu, projekti i “Alpeve”, i cii tashmë është konfiguruar si një projekt tepët konkret dhe me impakt për zhvillimin e turizmit si në zonën e Gjakovës, dhe në përgjithësi në të gjithë zonën kufitare, ashtu edhe në komunat dhe në bashkitë e Shqipërisë në kufi me Gjakovën”, tha z.Meta.

Kryetari i Kuvendit, z.Ilir Meta dhe Kryetarja e Komunës së Gjakovës, znj. Mimoza Kusari diskutuan gjithashtu edhe mbi forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar përmes fokusimit në projekte bujqësore, infrastrukturore dhe turistike që do të fusin në përdorim potencialet e panumërta në të dy anët e kufirit. “Njëkohësit, ne kemi rënë dakord për të thelluar bashkëpunimin edhe në fushën e bujqësisë dhe shumë shpejt besoj edhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të Shqipërisë do të jetë në Gjakovë me aktivitete konkrete këtu, edhe me Kryetaren e Komunës dhe me përfaqësuesit e këtyre aktiviteteve prodhuese”, theksoi z.Meta.

Kryetarja e re e Komunës së Gjakovës, znj. Mimoza Lila Kusari falënderoi Kryetarin e Kuvendit, z.Ilir Meta për vizitën. Në fjalën e saj, znj. Mimoza Lila Kusari u shpreh se ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të frytshëm. “Kjo vizitë shënon një respekt të veçantë për komunën e Gjakovës, për popullin tonë, por gjithashtu edhe për projektet dhe aktivitetin, i cili po vazhdon me një intensitet të shtuar në mes të komunës sonë, komunave fqinje dhe Republikës së Shqipërisë. Me z.Meta biseduam në hollësi për mundësitë e bashkëpunimit, në veçanti për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik, në sferën e turizmit dhe gjithashtu për aktivitet konkrete të cilat janë në ditët në vijim”, tha më tej znj. Kusari.

Në përfundim, z. Meta zhvilloi homazhe në tre varreza dëshmorësh të rënë në Komunën e Gjakovës dhe vizitoi Carshinë e Vjetër të Gjakovës, dyqanet e artizanatit, Kishën Katolike dhe Xhaminë e Hadumit, shoqëruar nga Kryetarja e Komunë, znj. Mimoza Kusari dhe nga Zv. Kryeministri, Behgjet Pacolli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat