Gjykatat, shkelësit numër 1 të të drejtave të njeriut

Kosova

Gjykatat, shkelësit numër 1 të të drejtave të njeriut

Më: 6 prill 2014 Në ora: 16:10

Për njëzet e tre për qind më shumë, në vitin 2013, qytetarëve iu shkelen të drejtat e tyre themelore krahasuar me vitin 2012, thuhet në raportin vjetor të Avokatit të Popullit për vitin që lamë pas, ku kryesisht shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut, vazhdojnë të jenë Gjykatat e Kosovës, ministritë, agjencitë e ndryshme, si dhe policia.
Avokati në shkuarje, Sami Kurteshi ka thënë në një intervistë për KosovaPress se qytetarëve iu shkelen të drejtat e tyre si kurrë më parë gjatë vitit 2013, ku kryesisht shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut, vazhdojnë të jenë gjykatat e Kosovës, ministritë, agjencitë e ndryshme si dhe policia.

Për Avokatin e Popullit përveç zvarritjeve që bëhen nëpër gjykata e ndryshme në vend, shqetësuese për të mbetet edhe mos shqyrtimi i lëndëve të vjetruara.

Kjo sipas tij assesi nuk duhet të ndodh. Për këtë, ai ka fajësuar vet shtetin.

“Çështjet kryesore përveç gjykatave që ka të bëjë me procedurat, kur them me procedurat në radhë të parë janë zvarritjet e shumta, një shqetësim i veçantë, në raport me gjykatat, është tash parashkrimi i lëndëv e, numri i madh i lëndëve që vjetrohen edhe kjo do të thotë se gjykatat nuk do t`i trajtojnë ato lëndë, kjo është e palejueshme ky është shqetësimi më i madh sepse kjo do të thotë realisht edhe praktikisht heqje dorë nga ndarja e drejtësisë ligjore dhe institucionale, këtë nuk guxon ta lejoi shteti. Natyrisht që kjo është normë ligjore, parashkrimi është edhe në vende të tjera, por janë disa arsye tjera pse vjen deri te parashkrimi, por nuk mund të jetë arsye vet shteti që lëndët të parashkruhen, do të thotë nuk mund të jetë arsye shtetit që mos të ndaj drejtësi, s`ka asnjë arsye”, thotë ai.

Sipas Kurteshit shkeljet që u bëhen kosovarë kanë të bëjnë në shumicën e rasteve me çështje prone.

Ai ka shpjeguar edhe arsyet se pse gjatë vitit 2013 janë rritur rastet kur janë shkelur të drejtat e njeriut.

“Bazuar në të dhënat që i kemi në statistikat e Institucionit të Avokatit të Popullit ne për të gjitha këto vite kemi një rritje që është lineare, në raport me vitin 2012 - 2013 kemi rritjen më të madhe që është mbi 20 për qind më e madhe, mbi 23 për qind me sa di unë, kjo rritje nuk ka ngjarë asnjëherë, ne nuk kemi bërë ndonjë hulumtim shkencor pse ka ardhur deri te kjo rritje, por sigurish janë shumë faktor. Faktor që duhet të merren parasysh edhe nga vet institucionet, edhe nga vet politika, duhet të merren parasysh që është krejt e rastësishme që është kjo rritje, sigurisht ka elemente të asaj që njerëzit janë ndërgjegjësuar, ka elemente se njerëzit nuk mund të durojnë më, problemet janë trajtuar me vite të tëra, njerëzit kanë heshtur në forma të ndryshme, ose kanë pritur që megjithatë do të bëhet një zgjidhje për problemin e tyre edhe tash ka ardhur fundi, ka elemente se kemi ligje të reja dhe ligjet e reja prodhojnë edhe të drejta të reja dhe kërkesa, e drejta prodhon edhe kërkesë mund ta marr me mend se ka edhe një rritje të besimit në vet institucionet”, thotë Avokati i Popullit.

Kuvendi i Kosovës e ka tashmë raportin për vitin 2013 dhe ende nuk dihet nëse gjatë këtij mandati legjislativ, deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta shqyrtojnë raportin vjetor të Avokatit të Popullit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat