VV: Të çlirohet nga krimi Administrata komunale e Prishtinës

Kosova

VV: Të çlirohet nga krimi Administrata komunale e Prishtinës

Më: 6 prill 2014 Në ora: 13:37

Grupi i anëtarëve në Kuvendin Komunal të Lëvizjes "Vetëvendosje" në Prishtinë thotë se pas arrestimeve të zyrtarëve që administrata komunale ka trashëguar nga pushteti i mëparshëm me dyshimin e bazuar të Prokurorisë për konsumim të veprave penale, është tejet i shqetësuar jo vetëm për imazhin publik por edhe për mbarëvajtjen e Institucionit të Komunës dhe Kuvendit.

VV pohon se akuzat për përfshirje të zyrtarëve komunalë në krim të organizuar dhe korrupsion janë tregues i një situate të rëndë në administratën e ndërtuar nën udhëheqjen 14-vjeçare të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke thënë se arrestimet janë goditje shumë e rëndë për besueshmërinë e institucionit.

"Nisur nga indikatorët e brendshëm dhe akuzat e shumta të medias për korrupsion e familjarizim, në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal ne kemi kërkuar hapjen e debatit për këtë fenomen në administratën komunale. Ne kërkuam që Komuna të krijojë një komision hetimor të posaçëm që do të masë dhe identifikojë përhapjen e këtij fenomeni në administratë, si dhe do të vlerësojë vërtetësinë e akuzave të ndryshme në media.

Por, nuk hasëm në gatishmërinë e LDK-së dhe Kryesuesit të Kuvendit Komunal, i cili në mbledhjen e fundit e mohoi mundësinë e diskutimit për këto probleme tejet serioze të Komunës. Konsiderojmë se debati i propozuar prej grupit tonë në Komunë është bërë tashmë i domosdoshëm dhe i pashmangshëm pas arrestimeve të fundit të lidhura me përhapjen e krimit të organizuar, korrupsionit dhe nepotizmit në administratën komunale".

"Andaj, i bëjmë thirrje Kryesuesit të Kuvendit dhe Kryetarit të Komunës që urgjentisht të reflektojnë mbi këtë zhvillim. I pari, duke iniciuar një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës, ndërsa i dyti duke përgatitur një paketë masash konkrete që garantojnë çlirimin e administratës komunale nga trashëgimia e krimit, korrupsionit dhe nepotizmit", thuhet në kumtesën e VV-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat