​Qytetarët ankohen për çmimet e telefonisë fikse

Kosova

​Qytetarët ankohen për çmimet e telefonisë fikse

Më: 6 prill 2014 Në ora: 10:28

Linja fikse e Telekomit të Kosovës, vlerësohet nga qytetarët si linjë e shtrenjtë. Disa qytetarë paguajnë vetëm mirëmbajtjen e linjës. Kjo u mundëson atyre vetëm të pranojnë thirrje dhe asgjë më shumë. Ndërkohë zyrtarë të Telekomit kanë bërë të ditur se në treg do të lansohen produkte të reja, pa dhënë detaje nëse çmimet do të jenë të arsyeshme.

Qytetarët ankohen se çmimet e telefonisë fikse të Telekomit të Kosovës janë të shtrenjta. Të intervistuarit tonë thonë se e kanë larguar linjën e telefonit, në mënyrë që shpenzimet të reduktohen. Por ka edhe nga ata të cilët në pamundësi për të bërë parapagimin, paguajnë vetëm mirëmbajtjen e linjës.
“ 1. Parapagimi është si zakonisht 8 euro po diku paguajmë 12 apo 13 euro. Për shkak të përdorimit të mobilit, në fund të fundit është një shpenzim i pa nevojshëm edhe goxha i shtrenjtë.
2. Pasi banën krejt (telefon mobilë) tani u duke folë e s’fole ata me e pagua , 10 euro a se di sa u kanë e kështu që e heka krejt tani.
3. Është i mirë është telefoni fiks, po harxhimet e ma nuk e qet ma. Kur ka marr hov mobili u dashtë me e lan se janë në pyetje edhe shpenzimet.
4. Po e kam, veç i këna dhanë 10 euro e jena lidh se është lidhja për me u lidh, edhe kurrgjë veç kush neve të na thirrë se na nuk e shfrytëzojmë se s’po kemi”, thonë qytetarët.
Zyrtarë të Telekomit të Kosovës, kanë bërë të ditur se mirëmbajtja e linjës është 3.99 euro. Konsumatorët kanë në dispozicion edhe tri pako tjera, ku përfshihen, minuta brenda rrjetit të Telekomit dhe operatorit Vala, duke filluar nga 4.99 deri në 17.99 euro. Arsim Bilalli thotë se në treg do të ketë oferta të reja, ndonëse nuk ka bërë të ditur nëse ato do të jenë me çmime të arsyeshme.
“Së shpejti do të lansohet një kombinim i produkteve atraktive përmes ofertave të reja për telefonin fikse për internet dhe për Ip Tv, gjë që përbën një sukses të kompanisë sonë, në plotësimin e kërkesave të konsumatorëve për shërbime më cilësore”, tha Bilalli.
Aktualisht, numri i konsumatorëve të telefonisë fikse është rreth 51 mijë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat