Krasniqi –Presidentes e Kryeministrit: Po silleni si tiranë e despotë

Kosova

Krasniqi –Presidentes e Kryeministrit: Po silleni si tiranë e despotë

Më: 5 prill 2014 Në ora: 22:40

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, ka reaguar pas deklaratës së Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, se Kosova është e gatshme të bashkëpunoj me drejtësinë ndërkombëtare.
Krasniqi ka publikuar një shkrim në llogarinë e tij në rrjetin social facebook, ku përpos kësaj ai i ka dhënë disa këshilla miqësore presidentes së vendit, por duke ja rikujtuar se vendimet e saj dhe të kryeministrit po e fusin vendin në një udhëkryq tepër të rrezikshëm.
Presidente, Ju dhe Kryeministri jeni duke marr vendime të rëndësishme për popullin dhe shtetin pa u konsultuar me askë. Me veprimet e tilla jeni duke treguar se nuk e dini sesi duhet të silleni si zyrtarë të lartë të shtetit demokratik, jeni duke u sjellë si tiranë e despotë të gjithëdijshëm e të plotfuqishëm. Me veprimet e tuaja kryeneçe e keni futur vendin në një udhëkryq tepër të rrezikshëm e me pasoja të pa parashikueshme për vendin dhe kombin. Ju jeni përgjegjësit kryesor për ta mbrojtur Kushtetutën dhe sovranitetin e këtij shteti”, ka shkruar Krasniqi.
Ai më tutje i ka rikujtuar presidentes se ajo është zgjedhur nga përfaqësuesit e zgjedhur në Kosovës, Grupet Parlamentare dhe Partitë Politike në Kuvendin e Kosovës dhe se sipas tij presidentja nuk është dashur të deklarohet për gjykatën pa u konsultuar me këta të fundit.
Ju, zonja Presidente në atë postë jeni zgjedhur nga përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës, nga përfaqësuesit e GP që përfaqësojnë partitë politike në Kuvendin e Kosovës dhe keni pasur një obligim kushtetues e njerëzor të konsultoheshit me liderët e atyre partive dhe me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës e tek pastaj të deklaroheshit për ose kundër, Tribunalin(Gjykatën) për krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së”, ka shkruar Krasniqi.
E krejt në fund, Kryekuvendari Krasniqi që njëherit është edhe kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, i ka thënë presidentes se ‘ai që nuk dinë, duhet të pyes’.
Ketë që e shkrova, merreni si këshillë miqësore, mos e merreni si kritikë. Populli thotë: " Kush vetë nuk tretë". Ju, nëse nuk dini, duhet t'i pyetni ata që dinë t'ju këshillojnë. Paraprakisht ju falënderoj për mirëkuptim”, ka përfunduar së shkruari Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat