​Kërkesë për ndërtimin e një konvikti të ri

Kosova

​Kërkesë për ndërtimin e një konvikti të ri

Më: 5 prill 2014 Në ora: 19:53

Numri i madh i aplikuesve për banim në kampusin e studentëve të UP-së, ka shtyrë drejtuesit e tij që të kërkojnë leje edhe për ndërtimin e një konvikti të ri me qindra shtretër. Kostoja e tij llogaritet të jetë mbi 2.5 milionë euro.

Kërkesat e shumta të studentëve që të banojnë në konvikte, të kampusit të Universitetit të Prishtinës, kanë shtyrë drejtuesit e saj që të bëjnë kërkesë në Ministrinë e Arsimit dhe në Komunën e Prishtinës, për ndërtimin edhe të një konvikti, i cili parashihet të ketë rreth 400 shtretër.

“Kemi bërë kërkesën në Ministrin e Arsimit, ata na kanë përkrahë është prit mirë, edhe ata janë të njoftuar që kërkesat e studentëve janë të mëdha.Ne kemi bë kërkesë zyrtare në Drejtorinë e Urbanizmit, po presim edhe përgjigjen pozitive në mënyrë që t'i fillojmë procedurat e planit ideor dhe plan detal”, tha drejtori i Qendrës së Studentëve ne UP Fatmir Sfishta.

Në Ministrinë e Arsimit thonë se e kanë përkrahur këtë kërkesë, por theksojnë se për momentin nuk ka mjete të mjaftueshme. Sipas tyre, me rishikimin e buxhetit, do të bëhet një zgjidhje për këtë çështje.

“ Për momentin nuk ka mjete të mjaftueshme që mund të përfundohet komplet ky objekt, por me rëndësi është që kodi buxhetor është hapur, ka mjete në te dhe do të shikohen mundësit edhe pas rishikimit të buxhetit në qershor, por edhe me buxhetin e viti 2015, të financohet nga Ministria e Arsimit”, tha zëdhënës i Ministrisë së Arsimit, Arbër Morina.

Ndërkaq, përfaqësues të Komunës së Prishtinës thonë se kërkesa është duke u shqyrtuar:

“Nese planifikimi i hollësishëm është konform hapsirës që ka qendra e studentëve, sigurisht se do të pajiset me leje edhe për ndërtimin e një konvikti të ri”, tha zëdhënës i Komunës së Prishtinës Adonis Tahiri .

Konvikti i ri, i cili pritet të ndërtohet, si dhe pajiset me inventar, sipas drejtuesve të Qendrës së Studentëve, do të arrijë vlerën prej 2.5 milionë eurove. Plani dinamik i ndërtimit parashihet të realizohet brenda 2 vjetëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat