Nikolic: Nuk e pranojmë pavarësinë e Kosovë, pavarësisht pasojave

Kosova

Nikolic: Nuk e pranojmë pavarësinë e Kosovë, pavarësisht pasojave

Më: 5 prill 2014 Në ora: 16:01

Pas formimit të qeverisë së re, asgjë nuk do të ndryshojë në dialogun me Prishtinën, ka thënë presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic në një intervistë për “Die Presse”.
Ai ka porositur Bashkimin Europian duke thënë se nëse ky organ e pranon Serbinë pa Kosovën, atëherë i bie që s’e donë fare në gjirin e tyre.

“Kjo varet nga BE. Nëse BE vendos ta pranojë Serbinë pa Kosovën, kjo do të thotë se ata nuk e donë fare Serbinë në BE. Në atë rast, BE do të thoshte: ne e pranojmë Serbinë, por jo në formën në të cilën ajo është pranuar si anëtare e OKB-së”, ka thënë Nikolic në intervistën dhënë të përditshmes vjeneze, “Die Presse”.

Ndërkaq, rreth dialogut Prishtinë-Beograd, Nikolic ka thënë se kur ai është bërë president i vendit, është thënë se Serbia do t’i nisë bisedimet me shqiptarët e Kosovës.

“Diplomatëve tanë ua kemi lejuar që të marrin pjesë në konferencat ku janë të ftuar edhe shqiptarët e Kosovës. Jemi të gatshëm që t’i japim Kosovës autonomi të gjerë, por asgjë më shumë. Pavarësinë e Kosovës nuk mund ta pranojmë, pavarësisht të gjitha pasojave”, ka theksuar Nikolic.

I pyetur nëse Serbia do ta pranojë aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë, ai ka thënë se Serbia ka marrëdhënie shumë të mira edhe me BE-në e edhe me Rusinë.

Në konstatimin se në Kosovë janë djegur shumë xhami dhe janë dëbuar nga shtëpitë e tyre me mijëra persona nga forcat serbe, Nikolic ka thënë se këto kanë qenë vetëm arsyetime për intervenim.

Sipas tij, istikamet e mbushura përplot shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë shërbejnë vetëm për t’i paraqitur serbët si të këqij.

“Për shembull, tregimi se në Reçak janë vrarë civilë shqiptarë, është krijuar për të bombarduar Serbinë. UNESCO posedon raporte për trashëgiminë kulturore serbe, të cilat janë shkatërruar në Kosovë. Do t’ju lutesha që të kërkoni nga UNESCO raport për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore nga shqiptarët”, ka thënë Nikolic.

Ai ka thënë se nga Kosova janë dëbuar 200.000 serbë, dhe se janë zhdukur 1.300 të tjerë, të cilët as sot nuk dihet se ku janë.

“Nuk dua ta bëjë drejtësinë e krimeve të luftës, e as ato të palës serbe. Përgjegjësit për krime lufte u gjendën para gjykatës së Hagës dhe shumë prej tyre janë dënuar. Ndërkaq të akuzuarit shqiptarë janë liruar vetëm e vetëm që serbët të jenë fajtorë”, ka vlerësuar Nikolic.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat