“Formimi i Tribunalit është i domosdoshëm për ta pastrur krimin e organizuar”

Kosova

“Formimi i Tribunalit është i domosdoshëm për ta pastrur krimin e organizuar”

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 4 prill 2014 Në ora: 22:01

Bashkimi Evropian e ka konfirmuar qëllimin për themelimin e një Gjykate të veçantë e cila do të merrej me dyshimet për krime lufte në Kosovë. BE-ja ka sqaruar se nuk është duke propozuar themelimin e një Tribunali, por të një Gjykate të veçantë brenda sistemit gjyqësor të Kosovës.

Kjo Gjykatë do të kishte bazën në Kosovë por sesionet sensitive duke përfshirë dëgjimin e dëshmitarëve do të zhvilloheshin jashtë vendit duke marrë parasysh natyrën e dyshimeve, si dhe kjo gjykatë nuk është për Kosovën, UÇK-në apo natyrën e luftës ,por ka të bëjë me hetimin e dyshimeve për akte të rënda kriminale të individëve.

Analisti politik Nehat Hyseni, thotë për Gazetën “Bota sot” se çështja e themelimit të Tribunalit për Kosovën, i cili do të ketë dy dhoma: një në Kosovë, për çështjet dhe krimet më të lehta dhe tjetrën në Holandë, për rastet më të rënda, tregon se sistemi gjyqësor i Kosovës është gjykuar si më i korruptuari në Kosovë, dhe rajon.

“Pastaj, shoqëria e Kosovës akoma nuk ka siguruar rrethana të volitëshme për funksionim të pavarur të gjyqësisë dhe gjykatësve. Ndikimi i politikës në gjyqësi është shkatërrimtarë. Gjyqësia e Kosovës, me paaftësinë dhe me kaosin që e sundon, është mbrojtëse e krimit në Kosovë”, thotë Hyseni.

Ai pohon se duhen zbardhur krimet e pasluftës, dorasit e të cilëve nuk u zbuluan dhe gjykuan asnjëherë.

“Prandaj, sa duket formimi i Tribunalit është i domosdoshëm për ta spastruar dhe dënuar në mënyrë meritore krimin brenda shoqërisë, si kusht për t'i zbardhur asaj fytyrën dhe për t'ia hapur dyertë drejtë Bashkësisë Europiane”, vlerëson Hyseni.

Agjencia amerikane e lajmeve, Associated Press raporton se Bashkimi Evropian do të krijojë Tribunalin që do të merrej me krimet e supozuara të UÇK-së, në vitet 1998-99.
Një zyrtar i lartë evropian ka thënë se gjykimet do të nisin vitin e ardhshëm dhe se me autoritetet lokale ende po diskutohet për rregullat që do të ketë.

Tribunali do ta ketë selinë në Kosovë, por dëshimtarët do të japin dëshmitë e tyre në Holandë. Krijimi i tij do të kushtojë 170 milionë euro dhe ai e ka përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ne po kërkojmë një gjykatë që përbëhet vetëm nga ndërkombëtarët dhe një panel të apelit të përbërë vetëm nga ndërkombëtarët. Procedurat duhet të bëhen jashtë Kosovës. Është mënyra e vetme që të jetë proces kredibil”, ka thënë zyrtari i BE-së.

Gjykata do të formohet pas këmbimit të letrave për Task Forcën Speciale të Hetimeve dhe mandatit të EULEX-it ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe miratimit të tyre nga ana e Kuvendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat