Asociacioni peng i komunave në veri

Kosova

Asociacioni peng i komunave në veri

Më: 4 prill 2014 Në ora: 21:35

Krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të mund të krijohet vetëm pasi që komunat veriore të miratojnë statutet e tyre komunale në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Kështu ka thënë për lajmi.net Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri.

“Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është një proces i cili mund të vijojë pasi që të ketë funksionalizim të plotë të katër komunave në veri sipas ligjeve të Kosovës dhe Kushtetutës së Kosovës”.

“Themelimi i Asociacionit në fakt është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit dhe edhe kjo çështje do të adresohet sigurisht për krijim. Por për opinionin publik, edhe njëherë është me rëndësi që të them se ky Asociacion do të funksionojë në formë koordinuese dhe konsultative dhe do të themelohet plotësisht në bazë të ligjeve të Kosovës, përkatësisht Ligjin për Vetëqeverisje Lokale të Republikës së Kosovës”.

Edita Tahiri, tha se në raundin e 23 të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të mbajtur të hënën në Bruksel, nuk është diskutuar për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Mirëpo në anën tjetër, zyrtarë serb kishin deklaruar se gjatë këtij takimi kjo çështje do të ishte pjesë e diskutimit në mes të Kryeministrave Thaçi-Dacic.

“Nuk është diskutuar për këtë çështje në takimin e Kryeministrave dhe Baroneshës Ashton. E tërë biseda, të hënën ka qenë për të rrumbullakuar çështjet e hapura në çështjet e drejtësisë”.

Zëvendëskryeministrja Tahiri njoftoi se zyrtarët e MAPL-së janë duke punuar intensivisht me kryetarët e Komunave në veri por dhe me Asambletë Komunale atje, që të bëjnë harmonizimin e statuteve komunale në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

“Siç e dini ne tani jemi në procesin e harmonizimit të statuteve, për shkak se këto Komuna që kanë miratuar statutet, në disa pjesë nuk kanë qenë në harmoni me ligjet e Kosovës”.

“Pra, ka pasur shkelje të ligjeve të Kosovës dhe MAPL është në takime intensive me kryetarët e Komunave dhe Asambleve Komunale, lidhur me harmonizimin e statuteve”.

“Hiq më larg se sot, autoritetet e MALP-së, përkatësisht sekretari permanent Z. Besnik Osmani ka takuar dy prej kryetarëve të Asambleve Komunale, për të biseduar. Ndërsa në fillim të javës por dhe të javës së kaluar, ka pasur takime edhe me kryetarët e Asambleve Komunale të Komunave të tjera”, ka thënë për lajmi.net Edita Tahiri.

Krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është pjesë e marrëveshjes së arritur më 19 prill në Bruksel, në mes të Kryeministrit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Dacic.

Kryeministri Thaçi atëbotë kishte deklaruar se ky Asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat