Hoxhaj: Lobim i shtuar i Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Kosova

Hoxhaj: Lobim i shtuar i Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Më: 4 prill 2014 Në ora: 20:03

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar të premten kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.
Hoxhaj ka veçuar angazhimin e fuqishëm të Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e agjendës integruese evropiane, duke theksuar edhe fokusimin e diplomacisë kosovare në agjendën multilaterale.

Gjatë takimit me Metën, ministri Hoxhaj vlerësoi lartë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke theksuar vullnetin për zgjerimin e mëtutjeshëm të partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit, veçanërisht në proceset integruese evropiane.

Hoxhaj foli edhe për nevojën e lobimit të shtuar të Parlamentit dhe deputetëve shqiptarë në Këshill të Evropës, veçmas në Asamblenë Parlamentare, po ashtu edhe në organizatat e tjera rajonale dhe ndërkombëtare.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, premtoi se do të angazhohet dhe do të ketë një koordinim edhe më të madh ndërmjet parlamenteve dhe deputetëve, veçmas komisioneve parlamentare për politikë të jashtme.

Kryeparlamentari Meta po ashtu vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, duke shprehur vullnetin e Shqipërisë për intensifikimin dhe thellimin e mëtutjeshme të shkëmbimeve me Kosovën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat