Aktori Çun Lajçi kohës së fundit është aktivizuar me kritikat e tij në drejtim të Qeverisë së Kosovës.
Pasi kritikoi vendimin e kryeministrit Hashim Thaçi për të mos e paguar atë për angazhimin e tij në ceremoninë e përkujtimit të Betejës së Koshares, Lajçi ka kaluar në një sferë tjetër – atë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai ka kritikuar kësaj radhe zëvendëskryeministrin e Kosovës, ish-kryeministrin në ekzil, Bujar Bukoshi, për mos-reagim në lidhje me FARK-un, temë e cila ditëve të fundit ka qenë tejet aktuale.
Aktori thotë se, edhe pse ka marrë miliona nga diaspora në emër të FARK-ut, Bukoshi nuk e foli asnjë fjalë në parlament kur u votua për Ligjin për Veteranët, ligj në të cilin Grupi Parlamentar i LDK-së kërkoi që të përfshihet edhe formacioni i FARK-ut.
“O Bujar Bukoshi! Po qysh s'e fole nji fjalë në Parlament për FARK he zoti ta nxift fytyrën, po e le Anton Çunin vetëm, po a e di sa milionat i ke marr nga diaspora në emër të FARK-ut! Po Ti ish kryeministër në ekzil dhe Ti flisje në emrin e FARK-ut.Me Ty duhet të merret Eulexi për ato miliona që ua more popullit”, thotë Lajçi në një postim të tijin në Facebook.
Çun Lajçi thotë se ndjehet i turpëruar që dikur Bukoshin e thirrëm kryeministër. “Turp për ne që të thirrem Kryeminister n'at kohë e turp për Ty që tani palohesh si miu”.