Hoxhaj: NATO të hapë dyert për anëtarësimin e Kosovës

Kosova

Hoxhaj: NATO të hapë dyert për anëtarësimin e Kosovës

Më: 4 prill 2014 Në ora: 14:07

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë vizitës zyrtare në Lituani, dje ka marrë pjesë në punimet e samitit të ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes të vendeve baltike dhe të Ballkanit, i cili është organizuar me rastin e 10 vjetorit të anëtarësimit të Lituanisë në NATO.
Gjatë samitit, ministri Hoxhaj mbajti një fjalim rasti, ku adresoi qëndrimet e politikës së jashtme të Kosovës lidhur me zhvillimet politike dhe të sigurisë, si dhe shprehu aspiratat e Kosovës për anëtarësim të shpejtë në strukturat euroatlantike.
Në praninë e ministrave nga vendet baltike dhe vendet e Ballkanit, ministri Enver Hoxhaj foli për rëndësinë që ka pasur për Kosovën anëtarësimi 10 vjet më pari i vendeve baltike në NATO, duke shtuar se ky ka qenë një moment shumë domethënës për sigurinë dhe për konsolidimin e paqes demokratike në Evropë. “Ishte po ashtu për vendin tim dhe shtetet e tjera në rajon një lajm i shpresës sepse që atëherë ne e kishim vendosur që ta lidhim të ardhmen tonë me komunitetin euroatlantik”, tha Hoxhaj, duke përmendur edhe përfitimet e rëndësishme që ka për sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik një hap i tillë.
Më pas, min istri Hoxhaj ka kërkuar nga NATO që të fuqizojë rolin dhe angazhimin në Ballkanin perëndimor dhe që NATO t’i sjellë më afër saj shtetet këtij rajoni, duke e cilësuar interes të përbashkët që i tërë rajoni të integrohet në strukturat e NATO-s.
“Është koha që NATO të sjellë Kosovën më afër saj, është koha që të ftojë Kosovën që t’i bashkohet programit të partneritetit për paqe”, tha ministri Hoxhaj, duke shtuar se historia, identiteti dhe orientimi strategjik i Kosovës është që të bëhet pjesë e komunitetit euroatlantik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat