Ligjeratat e Shefqet Krasniqit ishin një nga burimet frymëzuese të kamikazit kosovar, Blerim Heta, i cili javën e kaluar në një sulm terrorist vrau 50 persona në Irak.
Familja e Blerimit ja ka konfirmuar gazetës Express se Blerimi ishte djalë krejt ndryshe para se të shoqërohej me persona të radikalizuar dhe para se të fillonte të merrte pjesë në ligjeratat e hoxhallarëve si Shefqet Krasniqi në Kosovë e Bekir Halimit dhe Omer Bajramit në Maqedoni.
“Ai ka qenë pothuajse i rregullt në ligjëratat e Shefqet Krasniqit. Ka shkuar edhe në Maqedoni. Në fillim e kem ditur se po shkon me shoqëri për qejf, por më vonë e kemi marrë vesh se ai ka qenë në ligjërata të atyre hoxhallarëve si Bekri Halimi ose Bajrami e të tjerë që folin për xhihad. Edhe në internet i ka dëgjuar shumë ligjëratat e tyre”, thotë motra e Blerimit Hetës, Arjeta për Express.
Ndërsa babai i Blerimit, Remziu ka një porosi për të gjithë prindërit kosovarë që i shohin fëmijët e tyre se po bëhen ekstremistë.
“Ndalini sa nuk është vonë”, shprehet Remzi Heta i cili tash thotë se “as që do të dëgjoj më për fe, për selam e për sende të tilla.
Blerim Heta e kishte telefonuar familjen një ditë para se të kryente sulmin vrasës në Irak duke ju thënë që “nesër po takohem me Allahun”.