Ramushi do t'i kundërpërgjigjet çdokujt që e “hap gojën në publik”

Kosova

Ramushi do t'i kundërpërgjigjet çdokujt që e “hap gojën në publik”

Më: 29 dhjetor 2013 Në ora: 13:11

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një interviste ka thënë se viti që po lëmë pas nuk ka qenë vit i suksesit për Kosovën. Ndërsa për humbjen e AAK-së në këto ka akuzuar kundërshtarët politikë për fushatë jo korrekte, duke thënë se SHIK-u i PDK-së dhe UDB-të e partive të tjera, ia kanë shkaktuar humbjen e AAK-së, ai zgjedhjet e fundit i ka cilësuar të rregullta.

“Mendoj se janë disa argumente, fakte të cilat kanë sjellë deri te humbja. Disa kanë të bëjnë me qasjen tonë në politikat nacionale me përshkrimin e përkrahjes tonë ndaj temave nacionale si përkrahja e Qeverisjes në raste të caktuara. Ka të bëjë me degradimin e Qeverisë, me mos punën tonë në raste të caktuara në qeverisjen komunale dhe, po ashtu, me kampanjat e kuzhinave të disa individëve politik”, ka deklaruar Haradinaj.

“Kam thënë se SHIK-u i PDK-së e UDB-jat e partive të tjera kanë bashkëvepruar në raste të caktuara me i shkaktuar humbje Aleancës. Edhe kjo ka ndodh në disa komuna, në disa vende. Kemi prova, e kemi parë bashkëpunimin zyrtarisht, formalisht ose në formë të hapur të strukturave të caktuara të një partie. Na kanë dhënë mbështetjen, në prapaskenë grupe të caktuara, njerëz të caktuar të këtyre strukturave kanë punuar në të kundërtën e subjektit të vet. Kanë pas marrëveshje të fshehta dhe i kanë zbatuar. Këtë e kemi jo vetëm me prova, por e dinë njerëzit në terren, e dinë vet strukturat e subjekteve politike për çka e kam fjalën”, ka shtuar Haradinaj.

Haradinaj duke kërkuar ndihmën e ligjit që t'i sqaroj deklaratat e kryetarit të ri të Pejës, Gazmend Muhaxheri, i cili ka thënë se ka pasur presion, shantazh dhe kërcënim nga Ramush Haradinaj. “Ai ka bërë deklarime të tilla të vazhdueshme para zgjedhjes së tij si kryetar i Pejës. Kanë përdor dhe bashkëpunuar me të gjitha kuzhinat e mundshme. Ato le të mbeten në ndërgjegjen e tyre çka kanë bërë, por unë, kam kërkuar ndihmën e ligjit që të sqaroj çka janë këto, pse i bëjnë dhe kush janë njerëzit që i bëjnë. I kam thënë dhe e përsëris edhe një herë se çdokush që e hap gojën në publik nuk ka me e lanë pa i dhënë sqarimet e nevojshme se a është ajo e vërtetë që po e thotë kushdo qoftë, ai dhe kush është ai që po e thotë”, ka shtuar Haradinaj.

Ai ka thënë se në Kosovë ende ka shumë njerëz që janë të ndërlidhur me shërbimet e ish Jugosllavisë dhe Serbisë. “Në Kosovë, plot ki njerëz që janë të ndërlidhur ende me ish shërbimet e ish Jugosllavisë dhe Serbisë, se kanë jetuar 50 vjet këtu. Ka në Kosovë plot rryma politike që kujtojnë se Kosovës mundet me ju dhanë një kahje tjetër. Kjo ka vdekë në 99-tën. Kosova duhet m'u reformuar, m'u zhvillu standardi reformues, të trokitet për anëtarësim në Evropë”, ka shtuar ai.

Brenda një periudhe të shkurtër, Haradinajt i'u kanë hapur shumë konflikte. E konflikti i radhës është themeluesi i LISBA-s, Fuad Ramiqi, dhe personat e anëtarësuar në të që Haradinaj i pati quajtur “Flliqtana me mjekra”. “Kryesisht janë fonde që vinë nga Beogradi, janë agjenda që me e prezantuar Kosovën si një rrezik për të tjerë janë fonde të zeza janë indirekt, janë mekanizma për me e penguar Kosovën në rrugën e vet. Plot qytetar të Kosovës bien viktimë e tyre se është një skamje, jetë e vshtirë, e rëndë, ta keqpërdorin gjendjen e njerëzve tonë, ta keqpërdorin pamundësitë e njerëzve tonë me kriju perspektiva në jetë, dhe i shkaktojnë probleme vendit, vetës dhe shoqërisë që si të tillë janë kryesisht këta, rasti konkret për zotërinë merreni biografinë dhe e shihni se kush është ai”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka treguar se ka kërkuar nga kolegët që marrin pjesë në dialog, që të shterohet dialogu, dhe të vazhdojnë vetëm me marrëdhënie fqinjësore Kosovë-Serbi dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes.

“Ne nuk e shohim se çka do t'i ndihmojmë Kosovës më tutje, me vetëm mbajtjen hapur të bisedimeve. Ne kemi pasur vullnet dhe gatishmëri me përkrah tema, juridiksionin, normalizimin e veriut, funksionalizimin e rendit dhe ligjit në veri, por nuk dimë më tutje pse duhet me mbet. Jemi të interesuar, edhe një herë po e them, jo me ndërpre dialogun, me ndal dhe me lënë pa epilog, por jemi të interesuar me shteruar, përmbyll, në mënyrë që ato që janë arritë përmes dialogut, me mujt me i zbatuar dhe përvetsuar në terren”, ka thënë Haradinaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat