Thaçi: Serbët e veriut mund të votojnë me dokumente të Serbisë

Kosova

Thaçi: Serbët e veriut mund të votojnë me dokumente të Serbisë

Më: 9 qershor 2013 Në ora: 20:45

Në emisionin “Slobodno srpski” (lirshëm serbisht), që është emituar në rrjetin e televizioneve serbe në Kosovës, kryeministri Thaçi ka mohuar informacionet që në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtë, qytetarët mund të votojnë vetëm me dokumente te Republikës së Kosovës.

“Jo, kjo nuk është e vërtetë. Ky është vetëm një mesazh negativ që të frikësohen qytetarët në veri. Qytetarët mund të votojnë me dokumente identifikues që i kanë, natyrisht edhe me dokumente tjerë aktual dhe nuk mund t’i përfundojnë të gjitha procedurat, të gjitha ato angazhime administrative gjatë këtyre pesë-gjashtë muajsh. Sipas kësaj, qytetarët do të votojnë me dokumente identifikimi që i kanë”, ka sqaruar Thaçi dhe ka shtuar se zgjedhjet do t’i mbikëqyr OSBE-ja.

“Vet qytetarët, si në veri ashtu edhe në jug, do të kenë mundësi t’i zgjedhin liderët e tyre. Nuk dua asgjë të imponohet, por gjithçka të mbetet në vullnetin e qytetarëve, kudo që jetojnë. Pra, ky është një vullnet demokratik”, ka thënë Thaçi.

Sipas kryeministri kosovar, ai mezi pret te takohet me qytetarët e veriut dhe se është i gatshëm që t’iu shërbej atyre si kryeministër i të gjithë qytetarëve, duke shfaqur shpresën se ata në zgjedhjet e ardhshme do të zgjedhin njerëzit ideal, kooperativë kështu që do të fillohet me investime të fuqishme edhe në veri.

Lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Thaçi ka thënë se ky mekanizëm është i hapur për të gjitha komunat të cilët dëshirojnë t’i bashkëngjiten.

Ai ka theksuar se bëhet fjalë për Asociacion që obligimet do t’i kryej në pajtim me Kushtetutën, ligjet dhe në pajtim me nevojat e qytetarëve, duke shtuar se kështu do të jetë edhe kur bëhet fjalë për propozimin për komandant rajonal të policisë për veriun.

Thaçi ka thënë se do formohet edhe ekipet përgatitore për zgjedhjet dhe se zgjedhjet do të jenë të lira dhe demokratike. “Nuk ka serb të Thaçit apo Daçiqit. Unë qytetarët e vendit tim nuk i ndajë në bazë etnik, unë iu shërbej të gjithëve në bazë të Kushtetutës, ligjeve dhe qëllimi im është ndërtimi i një Kosove shumetnike, tolerante, të re dhe evropiane”, ka thënë kryeministri Kosovar.

Ai njëkohësisht ka vlerësuar se marrëveshja e Brukselit paraqet “marrëveshje të pakthyeshme”. “Prishtina në asnjë rrethanë nuk do t’i befasoj serbët në veri, ashtu sic nuk do t’i befasoj as Serbia, e as bashkësia ndërkombëtare. Të gjitha përpjekjet tona do të jenë miradije”, ka thënë ai.

Thaçi i ka ftuar serbet në veri që marrëveshjen e Brukselit ta shohin si marrëveshje të shpresës, optimizmit, besimit dhe investimit në të ardhmen, duke shtuar se nuk ka arsyer për frikë.

Duke përmendur njërën nga pikat kryesore të marrëveshje, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, Thaçi ka thënë se nuk është në interes te askujt që të ekzistojnë barrikadat. Ai ka shfaqur shpresën që barrikadat do të largohen dhe se do të gjendet zgjidhje e vullnetit të mirë në konsultim me qytetarët e veriut.

Ai ka theksuar se sipas marrëveshjes së Brukselit dhe sipas Kushtetutës, qytetarët e Kosovës kanë të drejt në dy shtetësi.

“Unë do të respektoj interesin legjitim të Serbisë për serbët në Kosovë, të cilët janë qytetarë të Kosovës. Sipas kësaj, ne jemi shqiptar nga Kosova, serbë nga Kosova, turq nga Kosova, malazez nga Kosova, e kemi identitetin tonë shtetëror të Kosovës, por në asnjë rrethanë askush nuk duhet te pretendoj që të mohoj apo cenoj identitetin nacional”, ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat