Eshton: Jemi shumë afër marrëveshjes, me 2 prill përmbyllja e bisedimeve

Kosova

Eshton: Jemi shumë afër marrëveshjes, me 2 prill përmbyllja e bisedimeve

Më: 20 mars 2013 Në ora: 11:44

(I plotësuar) - Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton ka thënë se ishte një ditë e gjatë dhe e mundimshme, por se ka pasur progres të mjaftueshëm dhe se janë shumë afër arritjes së një marrëveshje. “Ne do të takohemi sërish më 2 prill për të arritur marrëveshje”, ka thënë ajo para pa minutash në një konferencë shtypi. Eshton ka thënë se asnjëherë nuk kanë qenë më afër arritjes së marrëveshjes.
Ndërsa, për herë të parë kanë vendosur që dy kryeministrat të flasin në konferencë.
Kryeministri Hashim Thaçi, i cili ka folur pas atij të Serbisë tha se është arritur një progres në çështje të caktuara pas një takimi maratonik. Ai tha se nuk mund të thotë se janë farë apo larg, por se janë në rrugë të drejtë. Thaçi tha se në veri duhet të kthehet rendi dhe siguria, njerëzit duhet të jetojnë të lirë dhe të respektojnë ligjet. Ai tha se Kosova është e përkushtuar për arritjen e marrëveshjes, kemi humbur shumë kohë të dyja vendet duke shpenzuar kohë të konfrontimit. Ai tha se po hapet kapitull i ri marrëveshjeve dhe integrimeve euroatlantike.

Thaçi tha se Kosova do të jetë konstruktive në bisedime dhe që ti hapet rrugë integrimeve në BE, NATO dhe OKB.

Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq ka pasur disa herë konsultime me këshilltarin e tij duke daklur jashtë takimit, por pa mundur të arrijë një marrëveshje.
Daçiq ka thënë se nuk mund të themi se jemi as afër dhe as larg, sepse çdo herë ka diçka të reja. Ai tha se dëshiron që të arrihet marrëveshja që njerëzit të vazhdojnë jetën e tyre.
Kemi patur pak progres, por oferta duhet të jetë e mirë. Daçiç tha se për herë të parë nuk po i prezantohet një ultimatum, por po i nxisin për marrëveshje dhe kjo po e bën situatën edhe më të vështirë. “Nuk jemi të mësuar me kompromise në Ballkan”, tha Daçiq. BS


Bisedime të gjata Kosovë – Serbi

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, po vazhdojnë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, që është kusht për integrimet e evropiane.
Raundi i shtatë me radhë i bisedimeve filloi në orët e para ditës me një takim mese dy orësh të kryeministrave me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila pastaj zhvilloi takime të ndara.
Pak para orës 16, sipas kohës së Evropës qendrore filloi edhe një takim i dytë i përbashkët, ndërsa në orët e mbrëmjes pati një pushim gjatë të cilit u tha se palët e kanë shfrytëzuar për këshillime, ndërsa sërish ka vazhduar takimi trepalësh.
Ende nuk janë dhënë kurrfarë hollësish për debatet e sotme, që thuhet se janë përqendruar në rrugët e administrimit të veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës.
Beogradi thotë se është pajtuar të heq dorë nga strukturat e mbështetura prej tij në zonë, por kërkon që atje të krijohet një bashkësi komunash me shumicë serbe, që do të kishte fuqi ekzekutive.
Prishtina ndërkaq, është pajtuar për krijimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, por pa pushtet ekzekutiv.
Burimet serbe thanë se kryeministri serb është këshilluar me zëvendësin e tij Aleksandër Vuçiç, meqë sic thuhet, ai ka marra një dokument nga zonja Ashton që as për së afërmi nuk përfshinë kërkesat e palës serbe.
Zyrtarët evropian thonë se bisedimet ndodhen në një periudhë vendimtare dhe se të dyja palët duhet të angazhohen më shumë në arritjen e marrëveshjeve, që mund t’u sigurojnë të dyja palëve datat e negociatave, Serbisë për anëtarësim, ndërsa Kosovës për marrëveshjen e stabilizim asocimit.
Ditët e fundit janë shtuar përpjekjet ndërkombëtare për të nxitur arritjen e një marrëveshjeje për veriun, para mesit të muajit prill, kur zonja Ashton duhet t’u raportojë ministrave të Bashkimit Evropian për rezultatet e bisedimeve.
Çështja e bisedimeve ndërmjet të dyja palëve është diskutuar edhe në takimet që nënpresidenti amerikan Joe Biden zhvilloi në Romë me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi dhe presidentin serb Tomislav Nikoliç.
Të premten ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon i ka ftuar të kryeministrat Thaçi e Daçiç në takime përgjatë debateve për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Philip Reeker, takoi te dy kryeministrat të mërkurën dhe shfaqi besimin se ata mund të arrijnë marrëveshje, me kusht që të dyja palët të jenë konstruktive dhe të përqendrohen në të ardhmen e popujve të tyre.
“Besoj se është e mundshme të gjendet zgjidhja”, u tha zoti Reeker gazetarëve, duke rikonfirmuar se Shtetet e Bashkuara mbështesin procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet dy vendeve.

Të mërkurën paradite, kryeministri Hashim Thaçi ka takuar edhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-së, Anders Fogh Rasmussen të cilit i ka kërkuar që NATO-ja të luajë rol thelbësor në zbatimin e marrëveshjeve të mundshme për veriun e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat