Kurti: Serbia po krijon shtet serb brenda Kosovës

Kosova

Kurti: Serbia po krijon shtet serb brenda Kosovës

Më: 15 mars 2013 Në ora: 17:34

Serbia duhet ta ndryshoj Kushtetutën e saj dhe të pranoj pavarësinë e Kosovës, pastaj të largoj menjëherë strukturat paralele, të kthej të pagjeturit dhe të kërkoj falje, të arrestoj kriminelët e luftës e t’ia dorëzoj organeve të drejtësisë së Kosovës, si dhe të paguaj dëmshpërblimin shtetit të Kosovës. Këto janë pesë kushtet që është dashur t’i parashtrohen Serbisë para bisedimeve në Bruksel.

Këto komente i bëri numri një i Vetëvendosjes Albin Kurti, gjatë një debati të organizuar nga kjo Lëvizje të premten në Vushtrri.

Sipas tij, udhëheqësit, Atifete Jahjaga e Hashim Thaçi bëjnë gara se kush më parë të shkojë në Bruksel për ta takuar Nikoliqin e Daçiqin, të cilët janë të njëjtë me kriminelët, Millosheviq e Sheshel, në vend se të përgatisin dosjet kundër tyre dhe t’ia dorëzojnë Vashingtonit, Brukselit, Londrës, Parisit, Berlinit etj.

“Në takimet mes Edita Tahirit dhe Borisllav Stefanoviqit që i quanin teknike, Serbia fitoi statusin e kandidatit për në BE, ndërsa në takimet e tanishme, Serbia po hap negociata për anëtarësim në BE. Dhe, si pasojë e kësaj, ajo në Kosovë po arrin të krijojë një shtet serb brenda vetë Kosovës, pra asosiacionin e komunave serbe”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Ai theksoi se Kosova nuk duhet të gjunjëzohet para 300-400 pjesëtarëve të MUP-it të Serbisë në veri të Kosovës.

Kurti në këtë takim ka sulmuar edhe BE-në duke thënë se ajo po fuqizon Serbinë në dëm të Kosovës. Sipas tij, BE-ja po dëshiron ta largojë Serbinë nga Rusia, gjë të cilën e dëshiron edhe vetë populli i këtushëm, por jo në dëm të shqiptarëve dhe trojeve të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat