Gjakovë: Përfundoi protesta në hyrje të Kishës Ortodokse

Kosova

Gjakovë: Përfundoi protesta në hyrje të Kishës Ortodokse

Më: 6 janar 2013 Në ora: 11:42

Shoqata “Thirrjet e nënave” dhe aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje, së bashku me qytetarët e Gjakovës, sot e kanë bllokuar hyrjen e Kishës Ortodokse në Gjakovë, për të pamundësuar ardhjen e “kriminelëve serbë të Gjakovës, të infiltruar në grupin e pelegrinëve serbë, për të marrë pjesë në liturgjinë e Krishtlindjeve serbe”, ka njoftuar Vëtëvendosja.

Mëtutje, në njoftim theksohet se “ndaj protestuesve intervenoi policia e Kosovës, e cila i arrestoi dy aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje dhe i ka shtyrë protestuesit 20 metra larg hyrjes në kishë”, për të mundësuar hyrjen e autobusit me serbë.

Sipas lëvizjes Vetëvendosje, “protestuesit mbanin në duar pankarta me emra kriminelësh serbë të Gjakovës, disa nga të cilët edhe u identifikuan në grupin e serbëve, që erdhën në Kishën Ortodokse të Gjakovës”.

Në kumtesë theksohet se pas mbarimit të liturgjisë, “autobusi me kriminelë serbë u largua nga Kisha Ortodokse, nën përcjelljen e forcave të shumta të Njësiteve Speciale të Policisë së Kosovës” dhe konstatohet se “Policia e Kosovës, kujdeset për sigurinë e atyre, që para 14 viteve, në Gjakovë, sikurse në gjithë Kosovën, kanë kryer krime të mëdha të planeve për spastrim etnik” të Kosovës.

Pastaj Vetëvendosja thotë se “mbi 60 persona nga Gjakova janë ende të pagjetur; 1200 civilë nga Gjakova janë vrarë gjatë luftës së fundit; rreth 1000 gra gjakovare janë dhunuar; 6500 shtëpi dhe 715 lokale afariste dhe objekte të trashëgimisë kulturore në Gjakovë u shkatërruan”.

Në njoftim pastaj konkludohet se “shteti i Serbisë dhe kriminelët, që kryen këto krime, asnjëherë nuk janë dënuar dhe se duke i lejuar që të bëjnë vizita provokuese, këta kriminelë po rehabilitohen nga vetë Qeveria e Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare”.
* * * * *
Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje së bashku me organizatën “Thirrjet e nënave” dhe qytetarë të tjerë të Gjakovës po protestojnë duke bllokuar Kishën Ortodokse në Gjakovë, kundër ardhjes se zyrtarëve serbë me rastin e festës se Krishtlindjeve ortodokse
Sipas aktivisteve të VV-së brenda në kishë po merr pjesë edhe, ish kryetari Gjakovës Stejanovic, i cili njëherësh është i akuzuar për krime lufte.

Zyrtari për informim në Lëvizjen Vetëvendosje, Adonis Tahiri, ka thënë se gjatë protestës ka ndërhyrë Policia e Kosovës duke arrestuar disa aktivistë. Sipas tij, të arrestuarit po mbahen në makinat e policisë.

Protestuesit mbajnë në duar pankarta me emrat e kriminelëve serbë të luftës nga Komuna e Gjakovës, disa prej të cilëve gjinden tani brenda kishës”, ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat