Në Bruksel u zhvillua takimi ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë

Kosova

Në Bruksel u zhvillua takimi ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë

Më: 7 nëntor 2012 Në ora: 08:41

Me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian, në Bruksel u takuan kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Kryeministrat arritën dhe marrëveshjet e para.

„Takimi ishte më i relaksuar se herën e parë, por edhe më substancial“. Kështu e vlerësoi kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi takimin e parë në nivel pune, i cili u zhvillua gjatë një darke të përbashkët me homologun e tij serb Ivica Daçiq. Takimi u organizua me ndërmjetësimin e përfaqësues së BE për politikë të Jashtme Chaterine Ashton, e cila para darkës së përbashkët ka pasur takime të ndara me të dy kryeministrat. Takimin si konstruktiv dhe të rëndësishëm e ka vlerësuar edhe Ashton në një kumtesë me shkrim.

Disa marrëveshje konkrete

Në këtë takim janë arritur edhe disa marrëveshje konkrete. Palët kanë rënë dakord që deri me 10 dhjetor të fillojë zbatimi i Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM), mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Thaçi theksoi se pala kosovare ka kërkuar që të realizohen të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani. Por ajo më së shumti ka insistuar që të fillohet sa më parë me realizimin e Menaxhimit të Integruar të Kufijëve, bëri të ditur Thaçi. Ndërsa Daçiq konfirmoi se pala serbe ka rënë dakord që të vazhdojë me realizimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura „duke përfshirë edhe atë më të rëndën, për Menaxhimin e Integruar të Kufijëve“. Por, siç shpjegoi ai, fjala është për një projekt pilot, i cili për fillim do të realizohet vetëm në dy nga gjashtë pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Thaçi dhe Daçiq në takimet e tyre të ndara me gazetarë - njëri në ambasadën e Kosovës në Bruksel e tjetri para godinës së Komisionit Evropian - konfirmuan se pala serbe ka rënë dakord që të bëjë transparente të dhënat për financimin e strukturave paralele serbe në Kosovë.
„Këtu nuk ka asgjë sekrete, sepse serbët e Kosovës i financojmë në mënyrë publike. Kjo bëhet me paratë e ndara nga buxheti i Serbisë. Ne nuk do të kemi fonde sekrete për financimin e institucioneve të serbëve në Kosovë“, tha Daçiq. Ai shtoi se „Serbia nuk është e gatshme të bisedojë për heqjen e institucioneve serbe në Kosovë por është e gatshme të bisedojë për mënyrën se si të heqet paralelizmi i strukturave dhe që ato të jenë të pranueshme për të gjithë“.
Sipas tij, palët kanë rënë dakord që në kuadër të Policisë së Kosovës të krijohet një njësi speciale për mbrojtjen e trashëgimisë dhe objekteve të rëndësishme fetare e kulturore serbe në Kosovë. „Shumica në këtë njësi do të jenë serbë“, tha ai.

Janë prekur edhe tema të tjera

Palët kanë përmedur edhe shumë tema të tjera, por pa arritur ndonjë marrëveshje konkrete. Kryeministri Thaçi tha se në këto bisedime do të hapet edhe çështja e veriut të Kosovës. Por, sipas tij, „çdo marrëveshje duhet të jetë në përputhje të plotë me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës si dhe pavarësinë e këtij vendi“. „Pavarësia e Kosovës është çështje e kryer“, theksoi Thaçi.
Nga ana tjetër Daçiq tha se Serbia është e interesuar që të bisedohet për të gjitha çështjet, pra edhe për statusin e Kosovës dhe jo vetëm për çështje teknike.
„Ne nuk do të pranojmë kurrë një pavarësi të shpallur në këtë mënyrë. Por Hashim Thaçit i kam thënë se ne e kemi për obligim ndaj fëmijëve tanë që të zgjidhim të gjitha çështjet, sepse ata nuk duhet të luftojnë kundër njëri - tjetrit“, theksoi Daçiq.
Në pyetjet e Deutsche Welles se a do të hapen zyrat për ndërlidhje në Prishtinë dhe Beograd dhe si do të zgjidhet çështja e të pagjeturve, kryemininistri Daçiq tha se në Kosovë dhe Serbi nuk do të hapet asnjë zyrë e cila do të nënkuptonte ngritjen e raporteve në nivel amvasadash apo institucione shtetesh. Por është e vërtetë që do të emrohen „oficerë për kontakte mes këtyre dy vendeve, të cilët do të kujdesen për realizimin e marrëveshjeve të arritura“.
Sa i përket çështjes së të pagjeturve, Daçiq tha se „Serbia është absolutisht dakord dhe e gatshme për bashkëpunim për zbardhjen deri në fund të fatit të të zhdukurve. Qeveria serbe do të jap kontributin e saj maksimal në këtë drejtim“. Sipas tij, kjo është në interesin e të dy palëve dhe në veçanti familjarëve të pagjeturve. Çështjen e të pagjeturve, si një prej më të rëndësishmeve e quajti edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili ka insistuar që të zbardhet deri në fund fati i këtyre njerëzve.
Parimisht palët ishin dakord edhe për ndërtimin e austradës mes Nishit dhe Kosovës, por ende nuk dihet se si do të bëhet financimi i këtij projekti. Në darkën e përbashkët që ka zgjatur gati katër orë, është përmendur edhe çështja e telekomunikacionit dhe disa disa çështje të tjera por pa u futur në thellësi. Pritet që disa prej këtyre temave të konkretizohen në takimin e radhës, që do të mbahet në fillim të dhjetorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat