Dilema rreth përfshirjes së veriut në dialog

Kosova

Dilema rreth përfshirjes së veriut në dialog

Më: 21 tetor 2012 Në ora: 21:02

I ndarë në dy pjesë, si etnikisht ashtu edhe politikisht, veriu të Kosovës vështirë t’i gjendet zgjidhja. Tashmë i shndërruar në “geto”, veriu mbetet gjenerues i krimit dhe kontrabandës, që assesi nuk po mund t’i ndalin institucionet kosovare.

Prej vitit 2008 në këtë pjesë të vendit nuk funksionon asnjë institucion si policia, gjykatat e as ato komunale, raporton KTV-ja.

Madje, Prishtina nuk ka arritur asnjëherë t’i zgjidhte as përfaqësuesit e saj legjitimë.

Për më shumë, që nga korriku i vitit të kaluar në pothuajse të gjitha rrugët kryesore të kësaj pjese vazhdojë të jenë të pranishme barrikadat e vendosura nga një pjesë e qytetarëve serbë, të mbështetur edhe nga strukturat paralele.

Derisa qytetarët shqiptarë, vazhdojnë të përshkojnë këtë urë nën ethe, ndërkombëtarët si zgjidhje të vetme e shohin përfshirjen e çështjes së veriut në procesin e dialogut.

Por, ata që përballen çdo ditë më këtë situatë e shohin dialogun si mundësi të mirë, megjithëse nuk presin shumë prej tij.

Korrespodenti i “Kohës ditore”, Musa Mustafa, i cili që nga paralufta raporton për Mitrovicën, në këtë kohë e sheh krejt të kotë dialogun. Sipas tij, çështje urgjente është largimi i strukturave paralele.

Nga ana tjetër ajo që tashmë një kohë ka marrë një rol të rëndësishëm në tendencën për të krijuar lidhje ndërmjet jugut e veriut, shefja e Zyrës administrative, Adriana Hoxhiq e sheh të domosdoshëm dialogun.

“Situata në veri është shumë e komplikuar dhe dialogu është i domosdoshëm. Por ne nuk kemi kurrfarë ndikimi në vetë dialogun, nuk kemi fare dialog në ndonjë gjë të madhe, sepse detyra ime është të përcjellë atë çfarë thonë qytetarët e në bisedat tona të përditshme me qytetarët, qofshin ata tregtarë të rëndomtë, ose profesorë ose shkencëtarë, ose biznesmenë, të gjithë ata janë deklaruar që politika nuk u intereson dhe nuk i besojnë. Kështu që ne nuk do të lëshohemi në tregime të tilla dhe duhen zgjidhje konkrete që do të ndikojnë në zhvillimin e veriut”, tha ajo.

Hoxhiq shprehet se qytetarët e veriut, të cilët i takon, e kanë humbur besimin te politika.

Ndonëse kërkon mospolitizim të Zyrës që drejton, ajo pret dialog të sinqertë midis Prishtinës e Beogradit.

“Ne e kemi krijuar një komunikim të tillë me qytetarët dhe ne flasim për problemet e përditshme për nevojat e përditshme dhe për ato që më të vërtetë kanë ndikim në jetën e përditshme të qytetarëve, kështu që ne s'mund të ndihmojmë shumë sa i përket dialogut dhe në asnjë mënyrë s'mund të ndikojmë në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, por është e domosdoshme që dialogu midis dy vendeve të ekzistojë. Andaj duhen biseda të sinqerta që do të japin si rezultat përmirësimin e kushteve të jetës të atyre që jetojnë këtu.”

E derisa barrikadat vazhdojnë të mbajnë të bllokuar këtë pjesë, pjesëtarët e KFOR-it, më shumë pëlqejnë kafenetë buzë urës sesa aksione të vërteta për zhbllokimin e rrugëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat