Thaçi, takimi me Daçiqin - i frytshëm, tejkalova emocionet

Kosova

Thaçi, takimi me Daçiqin - i frytshëm, tejkalova emocionet

Më: 20 tetor 2012 Në ora: 00:28

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi e ka vlerësuar si mjaft konstruktiv takimin e sotëm me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq. Ai ka thënë se ky ka qenë takimi i parë zyrtar që shënon fillimin e një procesi të normalizimit të marrëdhënieve që është në interes të dy shteteve të pavarura dhe sovrane dhe që hap progresin drejt BE-së dhe NATO-s.

Ai ka thënë se takimi me Daçiqin për të nuk ka qenë i lehtë. “Kam obligim që në raport me emocionet personale apo partiake, t’i respektoj interesat e Kosovës. Mbi emocionet e mia personale janë interesat e Kosovës, e interesat tona janë anëtarësimi në NATO dhe BE. Ky proces mund të lëvizë shpejt përmes proceseve të fqinjësisë së mirë dhe proceseve integruese”, ka theksuar kreu i Qeverisë së Kosovës.

Thaçi ka deklaruar se gjatë takimit ka pasur shtrëngim duarsh me Daçiqin, teksa ka theksuar se liderët e Kosovës edhe më herët kanë pasur takime me liderët e Serbisë, duke nisur që para vitit 1998, pastaj në Vjenë e në takime të tjerë.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës ka theksuar se gjatë takimit është respektuar e gjithë agjenda, standardet dhe protokollet evropiane. “Dorështrëngim mes kosovarëve me njerëzit që e kanë udhëhequr Serbinë ka pasur gjithnjë, edhe para vitit 98, edhe në Vjenë edhe më vonë, por ky është njëtakim i organizuar nga baronesha Ashton, që tejkalon konfliktet”, u shpreh Thaçi.

“Asnjë etje për t’u takuar me liderët e Beogradit nuk kam pasur, nuk kam dhe nuk do të kem, por ky është realiteti i raporteve tona të ndera. Ne duhet t’i tejkalojmë çështjet e së kaluarës, gjithmonë duke kujtuar luftën historike për ta larguar Serbinë nga Kosova dhe të marrim përgjegjësi për të ardhmen”, ka thënë Thaçi, në një intervistë në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka thënë më tej se qëllimi kryesor i këtij takimi është normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, gjithmonë duke respektuar Rezolutën e Kuvendit dhe Kushtetutën e Kosovës. “Qëllimi është që të normalizojmë marrëdhëniet, duke ndërtuar një fqinjësi të mirë. Ne duhet të shikojmë kah e ardhmja duke kujtuar gjithmonë të kaluarën, gjenocidin serb në Kosovë. Por tani është kapitull i ri i Kosovës evropiane. Kemi hapur këtë kapitull jo të lehtë”, ka thënë ai.

Në këtë takim, Thaçi tha se e ka ngritur edhe çështjen e të pagjeturve, si dhe ka kërkuar që të vazhdohet që të punohet për implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut të deritashëm.

“Ky proces i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është një proces i ri, i cili do të ketë reflektime në unitetin e BE-së në relacion me Kosovën që do të rezultojë me njohjen nga pesë vendet e BE-së, por edhe në integrimin e Kosovës”, tha ai, duke shprehur po ashtu besimin e thellë se rezultat i këtij procesi do të jetë edhe shpërbërja e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës.

I pyetur për deklaratat e Vetëvendosjes lidhur me këtë takim, kryeministri i Kosovës ka deklaruar se ai është një fjalor i të kaluarës, që nuk përkon me realitetin, ndërsa ka shtuar se Kuvendi i Kosovës është ai i cili ka folur, kështu që secili duhet të mësohet t’i respektojë institucionet legjitime kur ato e thonë fjalën e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat