"Dokumentohet" me foto takimi ndërmjet Thaçit dhe Daçiqit

Kosova

"Dokumentohet" me foto takimi ndërmjet Thaçit dhe Daçiqit

Më: 19 tetor 2012 Në ora: 16:05

(I plotësuar) - Është publikuar fotografia e takimit të kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij serb Ivica Daçiq, që u zhvillua dje në Bruksel.
Edhe pse zakonisht Bashkimi Evropian dërgon komunikata dhe foto pas çdo përfundimi të takimeve, këtë herë ishte shkruar vetëm një komunikatë e shkurtër ku thuhet se në takim u bisedua për dialogun.
Thaçi: Pritet shpërbërja e strukturave paralele

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se takimi me homologun e tij Ivica Daçiq shënon një kapitull të ri për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. “Është kërkuar që të punohet më intensivisht për implementimin e marrëveshjeve teknike të arritura me ndërmjetësimin e BE-së”, ka thënë Thaçi. Ai ka theksuar se nuk është e lehtë për askënd të ketë takime me përfaqësues të shtetit serb për shkak të së kaluarës së hidhur. “Në raport me Serbin, e kujtojmë të kaluarën e hidhur, gjenocidin dhe ardhjen e tyre me dhunë. Por gjithashtu nuk duhet harruar se në fund Kosova ka fituar, është shtet i pavarur dhe sovran, por kjo nuk mjafton pasi Kosova synon integrimin në BE dhe në NATO. Prandaj ne nuk mund të jetojmë me të kaluarën por duhet të jetojmë për një jetë më të mirë për fëmijët tanë”, është shprehur Thaçi. Thaçi ka pohuar se në takim me Daçiqin kanë pasur një shtrëngim duarsh, ashtu siç e sheh protokolli dhe rregullat e takimeve. Ndërsa kryeministri serb dje ka thënë për mediat e vendit të tij se nuk ka pasur shtrëngim duarsh me Thaçin. Kryeministri i Kosovës ka thënë se në takimin e së premtes është hapur edhe tema e të zhukurve. Ndër të tjera, sipas kryeministrit, këto takime do të rezultojnë edhe me shpërbërjen, siç ka thënë ai, definitive të strukturave paralele në pjesën veriore të Kosovës. I pyetur nëse në këto takime do të diskutohet për veriun e vendit, shefi i qeverisë kosovare edhe një herë ka përsëritur se për çështjet e brendshme të Republikës së Kosovës nuk do të bisedohet me askënd. Thaçi në takim i është përgjigjur me humor homologut të tij serb, Daçiq, kur ky i fundit i ka thënë se Kosova është e tij po aq sa është edhe e Thaçit. “Me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Kosovës mund t’i keni dy shtetësi, dhe Kosova po ashtu garanton dhe respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve”, i ka thënë Thaçi Daçiçit.

Daçiq - Thaçit: Kosova, sa jotja aq edhe imja

Sipas mediumeve serbe, takimi mes Thaçit dhe Daçiqit në kabinetin e baroneshës Ashton ka zgjatur mbi 1 orë e gjysmë.Pas këtij takimi, kryeministri i Serbisë tha se temë e bisedës ishte “arritja e ujdisë për dialogun” dhe paralajmëroi se në muajin nëntor do të mbahet takimi i ardhshëm, kurse deri atëherë udhëheqja serbe do ta ketë gati edhe platformën për administrimin e dialogut.

Sipas tij, udhëheqja serbe do të miratojë platformën për dialog, ku do të jenë ta hapura të gjitha temat – nga zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri tash, telekomi, energjetika e deri te çështjet politike.

“Unë i kam thënë (Thaçit) që Kosova është e imja aq sa është edhe e tij. Unë kam lindur në Kosovë”, i tha Daçiq televizionit publik serb, dhe shtoi se Thaçi ka marrë pjesë edhe në bisedimet në Rambouillet dhe në Vjenë, duke i bërë një vështrim këtij takimi “me një person që në një raport të Këshillit të Evropës është i dyshuar për trafikim të organeve njerëzore.

“Takimi ishte profesional. I kanë dhënë dorën njëri-tjetrit sepse ashtu përcakton protokolli”, tha për gazetën Blic një burim i afërt me Ashton.

Thaçi dhe Daçiq takohen në Bruksel

Në Bruksel është zhvilluar të premten takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, homologut të tij serb, Ivica Daçiq, dhe shefes për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, e cilësoi të mirë dhe konstruktiv takimin që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atë serb, Ivica Daçiq.

Në një komunikatë për media që dërgoi zyra për informim e baroneshës Ashton, diplomatja britanike paralajmëroi takimin e radhës me krerët e qeverive të të dyja palëve që, sipas saj, do të ndodhë së shpejti.

“Kam takuar sot në Bruksel kryeministrin, Ivica Daçiq dhe kryeministrin, Hashim Thaçi, me qëllim vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja".

"Takimi i sotëm vjen pas takimeve që zhvillova në New York me presidentin Nikolliq dhe kryeministrin Thaçi. Pas takimeve të ndara me ta, udhëhoqa një takim të përbashkët në zyrën time, i cili u mbajt në një atmosferë të mirë dhe konstruktive".

"Ne u pajtuam që ta vazhdojmë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, ndërsa të dytë u zotuan për bashkëpunim. Do të takohemi prapë së shpejti".

"Besoj se dialogu është në interesin e të dyja palëve. Qëllimi i tij është të përmirësohet jeta e njerëzve dhe të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve e, duke e bërë këtë, ta sjell Serbinë e Kosovën më afër Bashkimit Evropian”, thuhet në deklaratën e lëshuar në emër të zonjës Ashton.

Takimi i sotëm pason miratimin e një dite më parë të rezolutës nga ana e Kuvendit të Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në të njejtën ditë, edhe Qeveria në Beograd ka marrë vendim zyrtar të vazhdojë bisedimet me Prishtinën, pa e njohur "pavarësinë e Kosovës”.

Presidenca e Kosovës mirëpret takimin

Reagimi i parë për takimin e së premtes erdhi nga Presidenca e Republikës së Kosovës.

​​Arbër Vllahiu, zëdhënës i presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, ka thënë se "është shumë mirë që janë takuar kryeministrat e Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë në nivel të barabartë”.

“Ky shënon një hap përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona dhe një rrugë përpara në arritjen e marrëveshjeve për një të ardhme më të mirë për vendet tona, që kanë pasur një të kaluar të vështirë”, ka thënë Vllahiu.

Ai po ashtu e ka cilësuar takimin si “një hap para në vendosjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon".

"Fqinjësia e mirë është një prej kritereve në rrugën e integrimeve evropiane”, ka thënë Vllahiu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat