Sekiraqa akuzon UÇK-në për krime lufte

Kosova

Sekiraqa akuzon UÇK-në për krime lufte

Më: 15 tetor 2012 Në ora: 10:33

Me një flet-arrestim që ishte lëshuar nga UNMIK-u në gusht 2007 në Interpol, Enver Sekiraqa, lindur më 18 nëntor 1973 në Prishtinë, i gjatë 183 cm, kërkohej me dyshimin se ka kryer veprat penale të krimit të organizuar ndërkombëtar, vjedhjes, krimeve seksuale etj.
Policia ishte në kërkim të tij që nga vrasja e policit Triumf Riza në fund të gushtit 2007. Në vitin 2005, në një kazino në Prishtinë kishte pasur përleshje mes Rizës dhe Enver Sekiraqës. Kabllot diplomatike, të lëshuara nga wikileaks më 2011, dhe që i takonin vitit 2007, e përshkruanin këtë të fundit si një gangster me lidhje me politikanë të fuqishëm. Ai është i dënuar me dy vjet burg për veprën penale të kërcënimit dhe pengimit të personave zyrtarë gjatë përmbushjes së detyrës.
Dy policë ishin shpallur fajtorë më 2009 për shpërthimin e 24 shtatorit 2007 në lagjen “Dardania” në Prishtinë, ku patën humbur jetën dy persona dhe disa të tjerë qenë lënduar. Besohet se cak i sulmit me eksploziv ka qenë lokali “Sekiraqa Bar” në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e policit Trium Riza. Në Agjencionin për Regjistrimin e Bizneseve D.P.H. “Sekiraqa Bar”, shënon për aktivitete bastvënien dhe bixhozin.
Gjatë luftës, më 1999, ai është ndaluar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës për dyshime se kishte ndërlidhje me regjimin shtypës serb.
Pas luftës, Sekiraqa ka folur vetëm një herë publikisht, në një intervistë në gazetën “Lajm” të vitit 2004, në të cilën ka thënë se merret me shitblerje të tokës.
Në një intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë, të dhënë disa ditë përpara vetëdorëzimit në EULEX më 26 shtator të këtij viti, Sekiraqa ka dhënë versionin e tij për një numër ngjarjesh që e ndërlidhin atë. Intervista botohet vetëm tash pasi të gjitha palët e përmendura nga Sekiraqa janë kontaktuar.
Sekiraqa thotë se ka qenë subjekt i disa atentateve, se merret me tregti, se posedon përfaqësinë e “Bruno Coffee” (bari Bruno figuron nën pronësinë e Naser Sekiraqës), se është marrë me patundshmëri, ndërtime të shtëpive, se ka mbledhur vota për parti politike dhe ka qenë viktimë e ndjekjes policore dhe të UÇK-së etj.
“Më kanë përcjellë disa probleme, pa dashjen time, si atentate e montazha”, tha Sekiraqa. Por përse këto probleme e kanë përcjellë pikërisht atë? “Me siguri mendojnë se po të dominojnë tek ne, me të tjerët e kanë më lehtë…unë nuk i kam lypë problemet, unë kam dalë e kam kërkuar vota për LDK-në edhe i kam ndihmuar LDK-së të fitojë se kam menduar se është më e mira”.
Sekiraqa thotë se nuk ka qenë në strukturat zyrtare të LDK-së. Gjatë intervistës, herë e cilëson vehten si anëtar të kësaj partie, e herë si veprimtar vullnetar i saj.
“Nuk kam pasur kurrfarë afërsie me askënd brenda LDK-së. Asnjëherë nuk jam takuar me Presidentin Rugova, përveç që e kam parë në fjalime, ndërsa me Ukë Rugovën jam takuar një herë”. Ai nuk ka cekur vendin, arsyen dhe kohën e këtij takimi. Ukë Rugova nuk ka pranuar të flasë.
Sekiraqa thotë se nuk ka qenë bashkëpunëtor i policisëserbe, për çka dyshohet se e ka arrestuar Zona Operative e Llapit në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës .
“ZOLL-i, me në krye komandant Remin, më pati kërkuar. Për këtë më kishte çuar fjalë Ilmi Rakovica. Unë vullnetarisht kam shkuar. Së pari jam takuar me Nuredin Ibishin - komandant Lekën. Aty më treguan që mua po më kërkon Latif Gashi - Lata. Gjatë marrjes në pyetje, m’i kanë kërkuar 600mijë marka. Kanë menduar që kam shumë pare. Nuk e di pse i kërkuan ato të holla, nuk më dhanë shpjegim. Unë u thashë që nuk i kam”.
“Në Llapashticë më kanë mbajtur në një ahër të kafshëve. Latif Gashi më ka rrahur me palicë… Ka pasur edhe të burgosur të tjerë, mirëpo me rastin e bombardimeve të NATO-së, aty kanë marrë vendim me na liru, vendimin e mori Sabri Gashi”.
Sekiraqa tregoi se pas lirimit nga Llapashtica, rrugës duke u kthyer për në shtëpi, janë ndaluar në fshatin Majac nga ushtarët përcjellës të UÇK-së.
“Aty na kanë mbajtur një natë në një shtëpi, pastaj në po të njëjtin fshat na kanëçuar në bodrumin e një shtëpie ku na kanë mbajtur për 10 ditë rresht”.
“Një ditë, unë kërkova të shkoj në banjo, që ishte në katin e parë. E pash të hapur derën e një salloni ku kishin qenë ulur disa oficerë të lartë të UÇK-së. Aty e pashë Latif Gashin. Më vonë kishin marrë disa vendime oficerët e lartë. Ata që do të liroheshin e morën nga një letër. Letra morën 6-7 persona...por jo unë, Agim Musliu dhe Idriz Sfarqa. Më vonë kuptuam që edhe Drita Hoxha nuk kishte marrë letër, sepse atë e kanë mbajtur veçmas nga ne të tjerët, në një dhomë tjetër. Ata që nuk kanë marrë letra, kishin qenë për tu ekzekutuar”, tha Sekiraqa.
“Natën e 7 prillit, diku në orën 22 të natës, na morën me xhipin e komandant Nazif Mehmetit. Shoferi i tij me pseudonimin Besi, njëfarë Shyqa dhe njëfarë Idrizi kanë qenë aty. Na morën dhe na dërguan në një mal.Gjatë rrugës i pyeta ku po shkojmë?Ata na thanëse do të rrëmijmënjë istikam. Kjo ishte e pakapshme se ishte ora 22 e natës. Vendi ishte livadh. Forma e atij ‘istikami’ ishte diku 1 metër e gjysmë me 2 metra. Unë nuk kam punuar, as që e kam prekë me dorë, të tjerët po…derisa ata e rrëmihnin atëfarë gropën, unë e kam shfrytëzuar mundësinë edhe kam ikë prej aty”.
“Ka qenë një gardh afër, e kam kapërcyer. Më kanë gjuajtur me automat, por fati, nuk më ka kapë asnjë plumb. Prej aty kam bërë gjashtë orë me dalë në rrugën magjistrale Prishtinë - Podujevë dhe kam arritur të vijë në shtëpi, në Prishtinë”.
Latif Gashi, tani deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës në Parlament, thotë se qe 13 vjet është duke u marrë me këtë rast (të Majacit) në proces gjyqësor në vend. “Enveri ka shkruar edhe letra për gjykatën, mirëpo as që është ftuar që të dëgjohet si dëshmitar në këtë proces. E çka thotë Enver Sekiraqa sot pas gati 15 viteve, për mua nuk është shumë me rëndësi”, tha Gashi.
Ky i fundit, nuk e mohoi faktin se Enveri ka qenë në zonën e Llapit, mirëpo tha se atje e kanë ndalë në qendrën e ndalimit dhe asgjë më shumë. Sipas tij, me asnjë veprim nuk është shkelë asnjë konventë ndërkombëtare.
“Çka ka për të thënë Enver Sekiraqa, le ta thotë në gjykatë.Unë nuk i komentoj deklaratat e tij”, tha Gashi.

Atëherë komandanti i tij, Rrustem Mustafa, tash një nga nënkryetarët e PDK-së, tha se nuk ka pse të merret me fjalët e Sekiraqës dhe nuk pranoi të prononcohet. Nuk u prononcuan as Nuredin Ibishi, Sabri Gashi, Nazif Mehmeti, Idriz Bajrami dhe shoferi me pseudonimin Besi- Skender Krasniqi. Nuredin Ibishi vetëm e konfirmoi që Enver Sekiraqa me të vërtetë ishte ndalur e mbajtur në burgun e Llapit.
Enver Sekiraqa thotë se nuk ka qenë dëshmitar i mbrojtur i UNMIK-ut në rastin kundër Rrustem Mustafës dhe të tjerëve. “Vetëm u kam treguar vendin ku kanë dashtë me na ekzekutu. Aty i kemi gjetur disa gjëra personale të Idriz Sfarqës, jaknen, pantollat, një krahën dhe kemi gjetur kockat e fëlqisë së tij. Aty (së bashku me policinë e UNMIK-ut) kemi gjetur varrezën e tre të vrarëve: Idriz Sfarqa, Agim Musliu dhe Drita Hoxha”.
Në muajin korrik ka filluar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë rigjykimi i Latif Gashit, Nazif Mehmetit me nofkën Nazi dhe Rustem Mustafës me nofkën Remi. Që të tre të pandehurit gjatë luftës kishin mbajtur pozita komanduese në UÇK. Sipas aktakuzës, që nga gushti 1998 deri në prill 1999, ata kishin pasur dijeni për qendrat e ndalimit në vendet Bajgorë, Llapashticë, Majac, Patok dhe Kolec. Në këto qendra ishin ndaluar civilë shqiptarë me arsyetime se janë kolaboracionistë të pushtetit serb.
Deri më tash, zyrtarisht gjykatat nuk kanë marrë për bazë deklarimet e Sekiraqës për këtë rast.
Gjatë vitit 1999, tha Sekiraqa, ai po ashtu ka qëndruar edhe katër muaj e gjysmë në një burg serb, si i dyshuar për terrorizëm.“Më 31 maj 1999, Policia Serbe më ka arrestuar në Prishtinë, kinse për terrorizëm. Më kanë mbajtur 4 muaj e gjysmë në burgun e Sremska Mitrovicës në Serbi”.
Që nga kthimi prej burgut në tetor 1999, Sekiraqa tha se janë bërë diku 10 atentate. “Nuk e di nga kush.I kam 6-7 plagë të plumbave nëpër trup”.
Rasti më i njohur që e ndërlidhë atë është vrasja e policit Triumf Riza, për të cilën ai është në ndjekje. Është përfolur shumë se acarimi mes Rizës e Sekiraqës kishte si burim këngëtaren e njohur Adelina Ismajlin, e cila pati konfirmuar se ishte në lidhje me policin e ndjerë.
“Me Adelinën, kemi qenë në një parti, kemi pasur edhe shoqëri … asgjë më tepër”, tha Sekiraqa.
“Me Triumf Rizën, nuk më kujtohet kur jam pa për herë të parë. Mirëpo më kujtohet kur kam pasur problem me të për herë të parë. Në vitin 2005, në Swiss Casino, ka qenë festë e Krishtlindjes. Unë së bashku me disa shokë e shoqe kemi shkuar të pimë. Aty ka ardhur Triumfi me shokë edhe na kanë sulmuar”.
“Mua, në atë rast, më kanë rrahur shumë keq. Nuk e di as vetë pse na kanë sulmuar. Me siguri kanë pas urdhër prej shefave të tyre. Ka pasur edhe të shtëna armësh, është plagosur Agron Bytyqi, një shoku im dhe Arben Selmani që ka qenë me Triumfin”.
Por babai i policit të ndjerë, Shefqet Riza, thotë se Triumfi ka pasur probleme me Sekiraqën që nga viti 2000.
“Atëherë Sekiraqa ka tentuar që ta aktivizojë bombën për ta vrarë Triumfin së bashku me një polic pakistanez. Kjo ka ndodhur para shkollës së mjekësisë në Prishtinë ku Sekiraqa, së bashku me 14 vetë, ka hyrë edhe në shkollë, i ka rrahur edhe arsimtarët në sallë për t’ imarrë me dhunë tri vajza. Mirëpo aty ka ndërhyrë edhe KFOR-i dhe e kanë arrestuar Sekiraqën”.
Në shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë, personelit nuk i kujtohej një rast i këtillë. Në Policinë e Kosovës nuk kishte evidenca të vitit 2000. Në Prokurori dhe Gjykatë, nuk kishte shkresa zyrtare për një rast të tillë.
Shefqet Riza tha se djali i tij nuk ka pasur probleme me askënd tjetër përveç me Sekiraqën. “Ekskluzivisht Sekiraqa e ka vrarë djalin tim, nuk është kontestuese kjo….prej SwissCasinos e këndej janë 5-6 prita që i ka bërë Sekiraqa ndaj djalit tim Triumfit”.
I gjithë problemi ka të bëjë me punën zyrtare të Triumfit si polic, tha Riza.
“Nuk është e vërtetë ajo që thuhet për Adelina Ismajlin. Me të, Triumfi është lidhur pas rastit të Swiss Casinos. Madje, njëherë Triumfi ka qenë duke ardhur në shtëpi në Kaçanik së bashku me Adelinën kur Sekiraqa me bandën e tij ia ka zënë pritën me gurë të mëdhenj dhe e kanë njekë me vetura e skuterë”.
Me metaforë, Riza fajëson politikën për vrasjen e djalit të tij.
“Politika është ajo që e ka vrarë djalin tim Triumfin, Lidhja Demokratike e Kosovës. Ismet Beqiri së bashku me Sekiraqën dilte nëpër fushata. Personalisht unë me sytë e mi e kam parë para fakultetit ekonomik, me flamuj të LDK-së. Ai ka qenë bandë e LDK-së, ka shkuar në presidencën e Rugovës si në shtëpinë e tij, ka qenë njeriu i LDK-së dhe pikërisht LDK i ka dhënë krye këtij me u bo kështu”, tha Riza.

Ismet Beqiri, tash shef i grupit parlamentar tëLDK-së, thotë se Sekiraqën e njeh ngase vijnë nga një lagje e Prishtinës,“Kodra e Trimave”. Por ai mohoi të ketë dalë ndonjëherë në fushatë me Sekiraqën. Beqiri nuk mohoi se Sekiraqa ka mundur të ketë marrë pjesë në tubimet dhe fushatat e LDK-së.
“Nga deklaratat e tij del që ka qenë simpatizant dhe mbështetës i LDK-së, mirëpo kjo nuk mund të prejudikojë asgjë”, tha Beqiri.
Sekiraqa ka mohuar se gjatë kohës sa është kërkuar nga policia ka qëndruar në veri të Kosovës. “Nuk kam qenë në Veri të Mitrovicës qe pesë vite”.

>>RTK ndalon intervistën me Sekiraqën! (video)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat